Agjenti sekret i Sigurimit te Shtetit Hekuran Pobrati.
Emri: Hekuran Pobrati
Datëlindja: 15 shtator 1920 Pobrat, Berat
Data e vdekjes: 30 korrik 1991
Profesioni: Oficer i Sigurimit të Shtetit
Rrugë Operacionesh
Në të dalë të fshatit Bulçare, përpara një shkëmbi të shkarë, i cili e kishte zënë shtratin e rrugës, ku ditë të tëra nuk lëvizte asnjë automjet, qëndroi makina jonë “Dajç”, prej nga zbritëm njëri pas tjetrit, të pestë ne të maskuarit si diversantë. Të gjithë mbanim nga një çantë shpine në krah, ku përveç sendeve të nevojshme për një të arratisur, ishin edhe dy pila të thata për ushqimin e radios që përdorte një nga shokët e grupit. Pesha që na rëndonte mbi shpinë e bënte rrugën më të vështirë. Ky ishte udhëtimi i parë, prandaj paraqiste vështirësi. Na mungonte eksperienca, se kalitja dhe të papriturat, rrjedhojë e përvojës si pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, nuk na pengonte e shqetësonte. Kur flas për luftën, fjala është për ata shokë të grupit, që milituan edhe në formacionet partizane, jo për të tjerët, që ndonëse bashkëpunuan me ne, duke shlyer fajet e së shkuarës, punuan me korrektësi.
Hekuran Pobrati -“Çekiçi”, përveç çantës që mbante në krah i ishte besuar dhe detyra e vështirë dhe delikate e sigurimit të Ram Hoxhës -“Trokës”, një i arratisur që dihej se ishte jashtë shtetit, por në fakt ndodhej në duart tona i kapur sekret, që do të përdorej si lidhje e grupit tonë me diversantët dhe bazat e tyre që e njihnin si bandit. Dekonspirimi i kësaj forme pune, për çfarëdo arsye, jo vetëm shkatërronte punën e filluar, por sillte edhe humbjen e jetës sonë.
“Troka” deri ato momente nuk kishte dhënë prova besnikërie, ndaj shoqërohej i lidhur prej mezi nga i njëjti litar, që lidhte po në mes “Çekiçin”. Veprim që synonte, sa ruajtjen nga tentativa e vetëvrasjes edhe për të mos e lënë diversantin të riarratisej. Ai kishte detyrë të shikonte e nuhaste çdo përpjekje për të sabotuar e dekonspiruar “Trokën”, ball të cilit duhej qëndruar sy zgjuar, për të ndarë sinqeritetin nga djallëzitë, gjatë bisedave me banditë, miq të tij diversantë. Prandaj, edhe në erën e zhurmshme, çdo fjalë të “Trokës”, “Çekiçit” duhet t’ia zinte veshi, si kundër kudo të ecej netëve të errëta, Hekuran Pobratit duhet t’ia kapte syri.
Për ne ishte me rëndësi pozicioni që reflektonte “Troka” mbi banditët, pasi duke u bindur këta, do transmetonin në bazat e tyre idenë se Ramë Hoxha dhe miqtë e bandës në të cilën jeton, janë të arratisur të vendosur për kryengritje të armatosur.
U futëm në mes të pyllit me lisa të gjatë e degë të dendura. Në një rrugë dhish, ecnim në një të përpjetë për të arritur mbi Grabovën A, afër stanit të “Ujkut”, ku do të bënim pushimin gjatë ditës.
Ecnim shpejtë. Në të gdhirë, kërkohej të ishim në vendin e caktuar. Kjo diktohej, se lëvizjet ditën tërhiqnin vëmendjen e popullit, i cili i acaruar nga veprimet terroriste të grupeve diversioniste, organizohej rrufeshëm dhe godiste befasishëm, gjë që jo vetëm vinte në rrezik jetën tonë, por dëmtonte rëndë punën e nisur.
“Troka”, që në mal vinte nga burgu, mezi i hidhte këmbët, lodhej shpejtë nga ecja, pasi ishte i mpirë nga qelia. Ndaj, herë pas here i drejtohej “Çekiçit”: “U lodha zotëri. Më duhet të qëndroj pak. S’kam forca që të hedh asnjë hap”. Ai nuk e dinte pse duhet të ecnim shpejt dhe nga ne arsyeja nuk duhej thënë. Prandaj, këmbëngulnim me kujdes për të mos ndalur.
Në të dalë të pyllit, u ngjitëm një të përpjete të zhveshur. Bokërrimë ku këmba nuk të zinte vend. Ndonëse, të mbështetur me njëri-tjetrin, gurëzat që rrëshqisnin na merrnin me vete. Pa rënë drita, arritëm në vendin e caktuar e u futëm në një pyll me ahe dhe u fshehëm midis shkëmbinjve.
Këtu fillonte veprimi ynë i parë në rolin e të arratisurve. Ky vend ishte zgjedhur, sa për pozicionin e përshtatshëm, edhe si nyje që lidhte disa rrethe të kufirit me ato të thellësisë. Pra, kishte qëllime të paracaktuara, që t’i çorientonte për t’i tërhequr në kurthe të lojës sonë zbulimet e huaja, pasi shumë nga diversantët që dërgoheshin prej tyre për veprimtari terroriste kalonin e bënin pushime këtu në thellësi të vendit ku ndodheshim ne. Ata, pasi të informoheshin mbi ekzistencën tonë, jo vetëm do të njoftonin padronët e tyre për aktivitetin e organizatës dhe të këtij grupi të “arratisurish”, por do të merrnin edhe takime me ta.
Vendi ku ndodheshim, për pozicionin që kishte, e bënte më origjinale lojën si të arratisur, për të depërtuar në të dyja krahët. Ne të arratisurit e brendshëm të Korçës, Pogradecit, Skraparit, Gramshit etj, që në periferi kishin bazat e tyre, ndaj i linim këtu takimet dhe të atyre që dërgoheshin nga jashtë, të cilët për të njëjtat arsye, vendoseshin në Grabovë.
Sipas porosisë, takimin e parë do ta bënim me “Buallin”, kulakun Koçi Bardhi, për shkak të pozitës që zinte tek diversantët që strehonte në stanin e tij. Për të kishim informacion të saktë. Ai nuk e njihte “Trokën” fizikisht, por dinte që ishte i arratisur. U nisëm për në stanin e tij dhe teksa arritëm, “Bualli” u ndodh papritur përpara nesh. Kur e përshëndetëm, ngriu. Ndryshoi fytyrë e nuk dha përgjigje. U afruam dhe e ftuam të qetësohej duke i bërë të njohur “Trokën”, e pas tij, të tjerët me radhë. “Bualli” e mori veten, ngriti zërin e foli: “M’u zhdukni syve. Asgjë s’më lidh me ju. Ndryshe do të thërras e mbledh gjithë fshatin”. Përgjegjësi, duke qeshur me zë të lartë, që të dëgjohej në stan, ku “Bualli” strehonte diversantët, tha: “Përpara se të vinim pastruam rrugën rreth stanit, ndaj mos u frikëso. Kemi ardhur nga larg apostafat për të të takuar, të drejtuar nga “Troka” që është miku yt”. Pas kësaj, urdhëroi njërin nga anëtarët e grupit që të rrinte roje dhe duke i hedhur dorën në qafë “Buallit” e ftoi të ulet dhe të bisedonte.
Sherif Zekthi, një kriminel, që prezenca e tij ishte e përgatitur nga ne, pa e ditur ai, (si bazë e “Trokës” dhe lidhje e “Buallit”), kur doli tek dera e stanit dhe dëgjoi emrin e Ram Hoxhës, u habit kur e pa dhe i thirri me zë të lartë: “Po nga dole o trim”!
Ata njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Ishin nga një anë. “Zekthi” e kishte strehuar “Trokën” në shtëpinë e tij. Ndërsa me xhaxhanë e këtij të fundit, kishin qenë në organizatën e Ballit. Kurse në mbledhjen e organizuar nga të arratisurit në “Liqenin e Turbullt”, merrnin pjesë të dy, “Troka” dhe “Zekthi”. Ky, duke iu afruar “Buallit”, i tha: “Ke të drejtë. Janë kohë të këqija. Nuk i besohet as rrobës veshur. Nuk e njohe! Ky me mjekër është ka”. Pastaj i shtriu dorën ta takonte. “Troka” u zbraps, e me zë të ulët i prezantoi përgjegjësin. “Tako me këtë burrë se është komandanti ynë”. Ndërsa pamja e fytyrës, linte të kuptoje sikur të thoshte: “Veprova mirë?! ”Mbasi u takuan të dy, u përqafuam të gjithë.
Kombinacioni në qendër të të cilit u vu “Zekthi”, mes pranisë të diktuar nga sigurimi, në stanin e “Buallit”, çoi në lidhjen e grupit me këtë të fundit. Nga vendi i takimit, “Zekthi” mendoi se duhet të kishim ardhur nga jashtë. Ky ishte dhe qëllimi tij në këto vende, nga ku i ngarkuam detyrë të shkonte tek “Thundra”, Kaso Bej Guri. Për t’u njohur, i dhamë parrullën. “Ke dalë për të shitur”! Kjo parrullë, njihej prej tij, se përdorej nga kriminelët Hamit Matjani dhe Demo Tafani, kur vinin në Shqipëri. Kohë kur “Troka” ishte me ta.
Në këto netë të errëta të shtatorit 49-të, u ndodha për herë të parë i veshur bandit, midis kriminelësh terroristë. Për herë të parë, dëgjova me veshët e mi, planet, veprimet dhe krimet që kishin bërë e kërkonin të bënin, kundra njerëzve të thjeshtë. Aktivistëve të emancipimit shoqëror, mësuesve, të rinjve e grave përparimtare. Figurave të rëndësishme të luftës çlirimtare. Ulërimat dhe të çirrurat e bandave kriminale, për të “therur njerëzit e pushtetit”, e për t’u “ngopur me gjakun e tyre”, për t’i “vrarë komunistët”, e për t’i “lidhur e tërhequr zvarrë” më shponin si thika në trup. Duke jetuar në mes tyre, në heshtje dëgjoja. Por sa vështirë është të heshtësh kur dëgjon të flasin për të bërë plane si të vrasin, ata që në të vërtetë t’i mbron.
Në këtë detyrë, kjo ishte më e vështira, por puna kështu kërkonte ndaj gjithçka shihja dhe dëgjoja, duhej përballuar me qetësi dhe gjakftohtësi.
Në takim erdhi një nga djemtë e “Buallit”. Pa na folur asnjë fjalë, me nervozizëm ai i drejtohet të atit: “O babë, mos u merr me njerëz të tillë”. Pastaj na foli ne: “Na u hiqni qafe. Na lini në hallin tonë. Nuk kemi asgjë të keqe nga njerëzit që doni të vrisni ju”.
Prej kësaj baze, po në këtë natë, u nisëm e mbërritëm në Grabovën B, tek “Ketri”. Të pasnesërmen, duke kaluar nga gjoli i Teqes së Dushkut, nëpër një shi të madh, ecnim në një të tatëpjetë dhe mbërritëm në Kokel tek S.Hoxha. Nga aty, në Bulçare ku grupi u strehua dhe u furnizua me ushqime nga kulaku i këtij fshati, një kriminel i vendosur, që ishte i gatshëm të bënte gjithçka kundra pushtetit. Ai ishte edhe anëtar i një organizate të quajtur “Onash”, kryesuar nga zbulimet e huaja, përmes Hamit Matjanit.
Ky udhëtim, në ekstremet e kësaj zone, bëhej me qëllim, që të krijohej mendimi në lidhjet dhe bazat e bandave të brendshme të diversantëve, se ky grup që drejtohej nga një organizatë, del dhe jashtë, pasi pikërisht itenerarin e tyre ndiqnim edhe ne. Midis bazave të shumta, e rëndësishme në zonën e Gramshit, ishte ajo e “Çakallit” në fshatin Çekin-Muhamed Bej Guri, e cila nuk ishte vetëm lidhje e bandave të Hamit Matjanit, Demo Tafanit, Tefik Kokelës, Abaz Ermenjit etj, që vepronin në këtë zonë, por edhe të atyre nga Skrapari, Pogradeci, Korça etj, që strehoheshin këtu.
Natën vonë, grupi u afrua shtëpisë së “Çakallit”. U gjykua, që për të kontaktuar me të, të shkojë “Çekiçi” me “Trokën” dhe “Studenti”, që njihesh prej tij. Ky i fundit, u afrua portës, trokiti disa herë dhe kur i përmendi emrin e “Trokës”, i foli edhe vetë të zotit të shtëpisë. “Çakalli”, jo vetëm nuk e hapi derën, por as pranoi t’i takojë. Në të kundërt, ai kërcënoi dhe më vonë, foli se do të na denonconte tek kryetari i këshillit dhe në sigurim. Qëndrimi tij, na detyroi të zgjedhim rrugën e tërheqjes, si gjoja të frikësuar.
Mbasi vendosëm e qëndruam disa ditë në pyjet afër “Çakallit”, për të kontrolluar lëvizjet e tij, na informuan se nuk kishte denoncuar. Kështu, tentuam për së dyti për të hyrë në komunikim me të. Këtë radhë menduam të vepronim duke i folur me ashpërsi. Për ta bindur, nxorrëm në ballë “Trokën”, i cili pasi trokiti në derë, i thirri disa herë nga dritarja. I kërkoi të dilte nga shtëpia. I tha parrullën dhe i foli për rastet kur së bashku kishin qëndruar e takuar me bandat diversante njerëz të tyre. Por përsëri, “Çakalli” mbajti të njëjtën qëndrim.
Gjithçka po ndodhte midis “Çekiçit”, “Trokës” e “Studentit” nga njëra anë, dhe “Çakallit” nga ana tjetër, krijonte për ne një situatë ndërlikuese. Ngurimi i “Çakallit”, shprehur përmes gjoja mos njohjes së “Trokës” dhe për më tepër, kërcënimet e tij për të na denoncuar, na vinin përballë shqetësimesh që ndërlikonin situatën në kuptimin e dyfishtë. Nga një plan, rrezikoheshim nga dekonspirimi, përmes denoncimit të mundshëm në sigurim nga “Çakalli”, gjoja në emër të patriotizmit, duke dëmtuar rëndë kombinacionin. Dhe nga plani tjetër, duke ditur moskompromentimin e plotë të “Trokës” me ne, i ruheshim marrëveshjeve mes sinjaleve të fshehta midis tij dhe “Çakallit”, gjë që mund të shpinte në rrezikimin e jetës sonë.
Po përse “Çakalli”, bazë e vërtetuar e Hamit Matjanit, kunat i terroristit Tefik Kokela, nuk pranoi të takonte e bisedonte me “Trokën” dhe miqtë që e shoqëronin, me të cilin kishte qenë në një bandë, të lidhur me Hamit Matjanin.
Duhej zgjidhur enigma, për të marrë pas kësaj takim me të. Në këto rrethana, ne vendosëm largimin në thellësi, në një zonë tjetër.
Takimin e parë në rrethin e Elbasanit e bëmë me “Zekthin” nga Belshi, nën degët e një gorrice. Kishim shumë uri. Ai na pruri dy pula të pjekura dhe dhallë. Por s’më shkoi gjë në bark. Më dukesh helm; mbasi me helm e përzieu bisedën ky kriminel.
Takimi u bë me qëllim të caktuar, që veprimet e mëvonshme të na shpinin drejt afrimit e lidhjes me “Çakallin”.
Mbas disa ditësh, në këtë zonë u përgatit një përleshje e fortë, e sajuar në një grykë që dihej si vende kalimi diversantësh. Duke u lënë të kuptonin bazave të tyre, se në këtë përpjekje banda jonë vrau ushtarë e oficerë, pra “morëm hak e derdhëm gjak”. Pa aguar mirë dita, u shoqërua i përcjellë në vigë, gjoja si i vrarë një oficer. Ky veprim, jo vetëm që forcoi besimin te bazat që kishim lidhje, por do bindte për armiqësinë tonë dhe “Çakallin”...
Mbas këtij kombinacioni, grupi u ekspozua në një fshat tjetër, në shtëpinë e Idriz Kotorrit, në Kotorr që kishte miqësi me “Çakallin”. Pasi u përshëndetëm prej tij me urimin: “Shyqyr që shpëtuat”, ju drejtuam Idriz Kotorrit me këto fjalë: “Çakalli” na ka borxh gjakun, për qëndrimin që ka mbajtur. Ne jemi të bindur se këtë pritë, ku na u plagos ky luftëtar (një nga shokët e grupit që ishte në rolin e të arratisurit kishte lidhur me fasho krahun me gjak, gjoja si i plagosur) është kurdisur prej tij.
Idriz Kotorri u bind dhe shkoi tek “Çakalli” në Çekin, i cili mbasi u sqarua se nuk ishte lojë e Sigurimit, i dëshpëruar për mundimet që u kishte sjellë patriotëve, ashtu si i cilësonte ai diversantët, kërkoi të na priste në takim.
Kjo ishte një anë e suksesit, por ky veprim nuk na bindi që “Çakalli”, të kishte besim të plotë. Për t’i dhënë të kuptonte atij, se nuk e kemi aq të nevojshëm takimin me të, mbasi akoma dyshojmë dhe për t’i krijuar kohë zbatimit të masave të tjera ndaj “Çakallit”, që do shpinin në forcimin e plotë të bindjeve tek ai, nuk pranuam takim.
Pas një udhëtimi nëpër pyje, pa rënë drita, arritëm në fund të Tervolit, karshi shkëmbit Kabash, në një pyll plot me lisa. Atë ditë të bukur, njëri nga ne që bënte roje, na njoftoi: “Në drejtimin tonë vjen një person. Në njërën dorë mban një sopatë, në tjetrën, diçka që nuk kuptohet”. Përgjegjësi urdhëroi të zgjidhej “Troka”, i cili siç kemi shpjeguar, si ditën edhe natën mbahej i lidhur prej mesi nga i njëjti litar që lidhej “Çekiçi”. Pas kësaj, “Troka” u porosit si të qëndronte e bisedonte me “Kullën” që afrohej drejt nesh. Kur “Kulla” erdhi e na pa ditën, me “Trokën” të lirë e të armatosur, forcoi bindjen se ka të bëjë me bandë diversantësh që drejtohet nga një organizatë dhe këtë do t’ja transmetonte shokëve të tij kriminelë si ai. “Kulla” ishte thirrur nga ne, në emër të “Trokës”. Ai strehonte terroristin Hamit Matjani dhe kriminelë të tjerë që “Troka” i njihte, mbasi në shtëpinë e vëllait në Dumre, ishte strehuar edhe “Kulla”, i cili i dinte këto dhe gëzonte simpatinë e “Trokës”.
I shoqëruar nga roja që sinjalizoi, “Kulla” me zë të ulët na përshëndeti: “U vaftë mbarë puna që keni filluar o vëllezër! ”Përgjegjësi”, “Troka”, “Çekiçi” dhe “Studenti”, i dhanë dorën duke u përqafuar. Mbas prezantimit që bëri “Troka”, u ulëm të katërt. Të tjerët, ashtu si ishin të shpërndarë, qëndruan nëpër vende pa lëvizur, me qëllim për të lënë përshtypjen e banditëve të vërtetë dhe të siguronin shokët nga të papriturat. Ky veprim nuk ishte i lehtë, pasi mbarte rrezikun e dekonspirimit nga “Troka”, apo të dëshifrimit nga “Kulla”. Pasi përgjegjësi informoi “Kullën” për organizatën, qëllimet e saj etj., në përfundim i tha atij: “Ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë për kryengritjen e armatosur, të arratisur ose jo, jashtë ose brenda vendit, të bashkohen nën udhëheqjen tonë. ”Kur fliste përfaqësuesi ynë, “Kulla” shikonte “Trokën” drejt e në sy dhe shpesh herë, si padashur sytë e tij, përqendroheshin tek pushka që mbante “Troka”. Ndaj kur përfundoi biseda, ky i fundit ju drejtua “Kullës” me fjalët: “Mor ‘Kullë’, mos po të pëlqen pushka ime; është belgjik i shkurtër. Ja kemi rrëmbyer një njeriu të regjimit. Megjithëse e kemi të ndaluar të japim armën, për ty që je me kokë i yni, nuk thotë gjë komandanti. Merre dhe gëzoje. Po të na lejonte vendi do ta provonim”.
Për një moment na ngriu gjaku. Megjithëse pushka ishte sabotuar, që dhe një teknik nuk e kuptonte veprimin që bëri “Troka”, aq sa krijoi tek “Kulla” bindje mbi ne si të arratisur edhe na shqetësoi, mos në mes tyre, veprimi krijonte elementë lidhjeje të nëntekstshme që rrezikonte jetën tonë dhe shkatërronte punën e nisur. Por gjithçka u kthjellua kur “Kulla” foli: “E bukur qenka o “Trokë”! Organizata që ju përfaqësoni i ka filluar dhe menduar mirë punët. Unë jam me ju, se për Zotin nuk durohet më. Veç një porosi kam, duhet ruajtur se ka shumë sy. Për zotin “Trokë”, nuk luaja vendit po mos të ishte yt nip, i cili me shenjën që dërgove bëra të besoj, pasi nuk u zë besë as njerëzve të shtëpisë. Sa tha ke të fala nga ai, që “la shtamën tek burimi i lajthisë”, luajta vendit e u nisa për këtu, natën. Kam dhe dy llafe. Ju dua të mirën prandaj jua them. Keni bërë mirë që takimin e keni lënë larg. Megjithëse kam bërë rrugë të gjatë, nga shkëmbi i Kabashit nëpër Holt e mbi Kotorr, ndihem i qetë se nuk më pa njeri. Mos besoni barinjtë, fëmijët e gratë. Ka kohë, më tregonte një shok. Kur ishte plagosur Hamit Matjani, ishte shëruar tek një mik, andej nga Dumreja. E kishte mbajtur me bukë pesëmbëdhjetë ditë. As shtëpisë ku merrte bukën nuk ja kishte treguar dhe se kishin kuptuar, që kafshatën ai e ndante me Hamitin. Por e dini ku rrinte Matjani që ushqehej nga buka e tij, në një pyll të madh. Vendqëndrimin e ndërronte. Sot këtu e nesër atje. Kështu duhet ruajtur që të shpejtojmë e fitojmë”.
Mori dy napolona flori dhe u largua i bindur se nuk e dinim dhe kuptuam se personi që i shpinte bukën terroristit Hamit Matjani ishte vetë ky. Takimi ja arriti qëllimit. Ai u bind për ç’ka pa dhe u bisedua. Të gjitha do t’ja transmetonte Hamitit e bazave të tij, si dhe të arratisurve të tjerë. Tani për të, ne ishim besnikë të idealeve të tyre, gjë që u bë e mundur përmes nipit të “Trokës”, i cili duke ditur se i shërbente qëllimeve të dajës së tij, na vinte në lidhje ne, me ato baza që kishim interes, ku njihej e ishte i besuar si nip i “Trokës”.
Përsa i përket dhënies së napolonave flori, nuk e praktikuam më. Me ndërhyrje të qendrës, kjo formë u kritikua dhe nuk u zbatua, pasi nxiste aktet armiqësore të elementit kriminal e terrorist. Nuk kaluan shumë ditë dhe “Çakalli” u paraqit në takim. Në këtë mënyrë grupi vazhdoi të mbante lidhje të rregullta dhe me këtë kriminel dinak. Mbas disa takimeve, kur krijoi bindje dhe besim, përpara se grupi do largohej nga ajo zonë, “Çakalli” që e hiqte veten të lidhur me pushtetin e që na kish kërcënuar se do na denonconte në Sigurim, na dorëzoi kunatin e vëllait, Novruz Dusharin nga Dushari i Korçës, që ishte arratisur me kohë nga ushtria dhe qëndronte i fshehur në shtëpinë e “Çakallit”.
Për të bërë të mundur tërheqjen nga shtëpia e “Çakallit”, të Novruz Dusharit dhe arrestimin e këtij të arratisuri, nga ana jonë ju tha atij, se kemi urdhër që nuk mund të mbajmë në grupe të arratisur që veprojnë në zona ku i njohin, pasi kështu nuk ruhet sekreti, ndaj do ta dërgojmë në zona të tjera.
Disa ditë Novruz Dushari qëndroi me ne. Natyrisht kjo na rrezikonte, pasi ishte e vështirë dhe cënonte ruajtjen nga dekonspirimi dhe nuk shmangte komunikimin mes njëri-tjetrit, të personit në fjalë me “Çakallin”. Por dhe mbajtja e Novruzit në grup, ishte e nevojshme, sepse nëpërmjet tij, forcohej besimi për në bazat ku shkonim që diheshin e njiheshin që strehonin diversantë, pasi nga prezenca dhe qëndrimi i tij, rritej më shumë besueshmëria.
Përpara largimit, sipas kërkesës së Novruzit, shkuam tek “Çakalli”. Atë natë, për nderin e tij dhe tonin, me kërkesën e vazhdueshme të zotit të shtëpisë, u shtrua një darkë, nën degët e një peme, në një natë pa hënë. Kur e mori fjalën Novruzi, i cili tashmë kishte qëndruar me ne pesë-gjashtë ditë, foli me shpirt për sakrificat dhe besnikërinë që pa te grupi, për të arritur atë që kërkon atdheu. Foli dhe për organizatën, e premtoi se atje ku do shkonte, do të punonte e do të qëndronte besnik. Kur po mbaronim bukën, e mori fjalën “Çakalli” dhe bisedën e pruri përsëri tek “Dhelpra” që punonte në atë rreth, si dhe tek “Bullari”, për të cilin na kishte folur edhe më parë. Të dy këta, kishin dëshirë të takoheshin e bisedonin me ne, pasi sipas “Çakallit”, dinin luftën dhe idetë tona për çlirimin e atdheut. Ne u përgjigjëm propozuesit se nuk e njihnim “Dhelprën”, qëndrimin dhe karakterin e saj. Prandaj nuk mund të pranojmë takime. Ndërsa për “Bullarin”, si anëtar i Byrosë dhe përgjegjës i rinisë në rreth, ju tha, se njerëz të tillë, të lidhur me komunizmin, në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë t’i takojmë.
Në të kundërt, ne ishim të bindur për pozitat e të dy personave të lartpërmendur, por qëllimisht vepruam kështu, pasi “Dhelpra”, duke qenë agjente aktive e një zbulimi, paraqiste për ne interes me mënyrën si do reagonte ndaj këtij refuzimi. Pra, si do të vepronte për të na bindur me besnikërinë e saj, ndaj idealeve tona dhe a do tregonte se ishte dërguar pranë nesh në emër të zbulimit që i shërbente.
Kurse për “Bullarin”, vepruam kështu se donim ta largonim nga rruga e krimit. Por ai, si lidhje e afërt me diversantin Tefik Kokeli dhe “Çakallin”, i venë plotësisht në shërbim të tyre, nuk u largua nga kjo rrugë deri në ditën kur u arrestuan të dy.
Kur u ndamë nga “Çakalli” dhe kunata e tij, edhe njëherë i porositëm të ruajnë sekretin. Për Novruzin që e morëm me vete, u thamë të mos bëhen merak.
Të pasnesërmen e asaj nate, Novruzi u caktua me qëllim nga ne, që të bënte roje, për arsye të shmangies nga grupi, për të krijuar kushte, për t’u kapur e lidhur nga “Çekiçi” e “Studenti”. Pas kësaj, u shoqërua jo siç e dinte ai, në vendin e takimit me krerë të organizatave të tjera, por në burg. Mbas ca ditësh, “Çakalli” mori një letër nga Novruzi, që me porosi të Sigurimit, i shkruante nga burgu se ishte mirë dhe bashkë me shokët punonte për detyrën e ngarkuar.
Kisha muaj i larguar. Nga shtëpia nuk dija si i kisha dhe isha në merak, sidomos për gruan që ishte shtatzënë. Nuk dija a kishte lindur. Mendoja prindërit e saj, të cilët bashkëjetonin me të. Ndaj tyre isha i ndjeshëm. Më zëvendësonin prindërit. Mbas rënies dëshmorë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të djemve, mbetën me vajzën, gruan time. Dhe ja, për hir të detyrave speciale që kryeja, ishin bërë pjesë e një lufte tjetër. Jo më pak shqetësim kisha për djalin. Ishte i vogël. Donte ngrohtësi prindërore. Me shqetësimin e preokupacionin për ta, jetoja çdo ditë. Por detyra kërkonte sakrificë. Isha i ndërgjegjshëm për këtë, ndaj se kurseja veten.
rikthehemi në Kotorr.
Këtë radhë shkuam në shtëpin e Sh.Kotorrit, strehuesit të Hamit Matjanit, D.Tafanit dhe të arratisurve të tjerë. Sa hymë në koçekun e misrit që na tregoi i zoti, për të mos u lagur nga shiu, shoqëruar me erë e shkreptimë, na dukej se furtuna bashkë me kasollen, do të na ngrinte edhe ne për të na flakur poshtë në lumin e Holtës.
Ora duhet të ishte mbi njëzet e tre. Ne kishim zënë vende, kur befi me një thes në kokë, për të mos u lagur, i zoti i shtëpisë. Me zë të mekur na tha: “Një miku juaj u dërgon një letër. Urdhëroni, e kam në dhomë. Shiheni se pret përgjigje”. Pasi morëm letrën, si me shqetësim, u drejtuam atij me fjalët: “Keni gabuar! Pse keni treguar ku ndodhemi pa marrë pëlqimin tonë”. Pas kësaj e lexuam letrën. Ajo dërgohej nga kapobanda e Hamit Matjani, mes të cilës kërkonte takim. Për vendin ku do realizohej, do na shoqëronte korrieri që pruri letrën.
Kishim pritur me padurim përballjen me këtë gjakpirës, ndaj lajmi na gëzoi pa masë. Meqë grupit nuk i lejohej të takonte me bandat, pa autorizim nga qendra, këtë gjë s’mund ta bënim.
Të nesërmen e kësaj nate, ora po i afrohej dyshit dhe për t’u zbardhur dita s’kishte shumë. Korrieri priste përgjigje, por as ne nuk ndiheshim mirë. Duhej larguar nga kjo bazë e dekonspiruar nga korrieri. Ne ishim nga nevoja aty, ndaj nuk hynim brenda, por as dita nuk duhej të na zinte këtu. Çast i vështirë.
Përgjigjja erdhi. “Mos e takoni”. Pas korrierit u nisëm edhe ne, për të kaluar ditën në fshehtësi. Bashkë me të, arritëm në pyllin e madh të Gjergjevicës, të veshur plot me shkurre, ferra e driza. Duke kaluar për në thellësi mes tyre, veçsa ishim bërë ujë, u çorrëm. Zumë vend pranë një lisi të madh. Diku rrotull ishte edhe Hamit Matjani me bandën e tij.
Të gjithë ishim të lodhur e të mërzitur. Duke mos folur, secili rregullonte në heshtje vendin e tij; përjashtim bënte roja. Të gjithë e kuptonim këtë gjendje. Shkaku i dëshpërimit ishte urrejtja ndaj terroristit bandit, me të cilin nuk na lanë të mbaronim punë e ta vinim në çark gjakpirësin që s’kish lënë krim pa bërë.
Kishim muaj që ecnim natën, rrugë e pa rrugë. Shumë herë të pagjumë si jeta në pyll. Fytyrat tona të parruara nga të ftohtit, kishin marrë pamje të egërsuar. “Miqtë” që takonim në këto pyje po shtoheshin dhe kjo nuk na pëlqente. Me ata më të vendosurit që na interesonin, kishim marrë kontakte. Tashmë gëzonin besim tek ne dhe “Fronti i Rezistencës”. Për t’i vënë nën kontroll e displinë të ashtuquajturës organizatë dhe për të zbuluar në çdo kohë e më thellë aktivitetin kriminal të tyre, nëpërmjet pjestarëve të bandave, ishin organizuar lidhje individuale të rregullta në formë treshe me një përgjegjës që mbante në lidhje dy persona. Ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, vetëm përgjegjësin. Mbledhja e tyre ishte e ndaluar. Çdo udhëzim jepej individualisht, kështu merrej dhe informacioni. Ky organizim bëhej për një zonë, ose rreth dhe quhej sektor. Përgjegjësi i sektorit mbante lidhje me qendrën. Kjo detyrë për gjithë këtë zonë ku vepronte grupi i ishte ngarkuar “Çakallit”, i cili kërkoi nga ne aprovimin për marrjen në lidhje të “Pazarit të Vlorës”. Grupi, duke pasur parasysh aftësitë e tij dhe interesin si lidhje e Abaz Ermenjit, e aprovoi. Në fakt ndodhi ndryshe, “Pazari i Vlorës” denoncoi në Sigurim dhe ky urgjent me radio njoftoi grupin të largohej nga vendi. Nga ana tjetër, dërgoi forca në ndjekje të bandës ku ishte diktuar “grupi i të arratisurve”.
Informacionet e shërbimit të fshehtë shqiptar për ardhjen e një grupi diversantësh.
Këto masa ne i shfrytëzuam si pretekst për të forcuar më tepër pozitën tonë. Megjithëse lidhjet ishin organizuar, ne nuk u larguam nga vendi pa marrë kontakte me një pjesë nga elementët më kryesor kriminal. Takimi me ta u krye në kushte tepër të vështira, por ishte i domosdoshëm. Mes tyre forconim pozitën tonë tek lidhjet edhe pas ikjes se grupit, kështu arrihej të mbahej në kontroll veprimtaria e tyre.
Para largimit u mor takim me “Çakallin”, të cilit ju dha detyra: “Sipas parrullës dhe mënyrës së paracaktuar të kontakteve, të njoftohet qendra në Tiranë për çdo veprimtari të bandave të brendshme diversioniste dhe të individëve të arratisur brenda vendit apo jashtë tij. Pa aprovimin e qendrës, të mos merren takime prej anëtarëve të organizatës “Fronti i Rezistencës”, me të arratisur të brendshëm e të jashtëm. Të mos kryente asnjë detyrë pa miratimin e organizatës”.
Në fund u caktua mënyra dhe rrugët e lidhjes, për të dyja palët. Pra, si do lidhej “Çakalli” kur duhej të takonte organizatën dhe si do kontaktonte kjo, kur i nevoitej “Çakalli”.
Shumë kohë, ai e kreu këtë detyrë duke informuar për gjithçka Frontin e Rezistencës. Vinte vetë në Tiranë, ose dërgonte korrier për të raportuar. Duke ditur se informonte “Frontin e Rezistencës”, në të vërtetë sinjalizonte Sigurimin e Shtetit.
Nga një tjetër kanal, të cilin Sigurimi mendoi të mos e dekonspironte dhe që kishte mbi një vit i hapur, u informuam mbi dërgimin në Shqipëri prej një zbulimi të huaj të një bande terroristësh. Për ta ruajtur kanalin “B” morëm kontakt me “Çakallin”, beun nga Çekini i Gramshit, Muhamed Gurin, prej nga mësuam se: “Një bandë e përbërë prej katër vetësh, dërguar nga zbulimi anglez ndodhej në Dushar. Prej tyre njihet vetëm Mustafa Dushari që e drejton atë; të gjithë mbajnë pseudonime. Banda qëndron te “Driza” në Dushar dhe furnizimi bëhet prej tij”.
Sipas thënieve të “Dri-zës”, bandës nuk i funksionon gjeneratori i radios, për këtë arsye i kanë ndërprerë lidhjet me qendrën e tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja që kanë dërguar “Drizën” tek “Çakalli” për t’u lidhur me “Frontin e Rezistencës” që t’i rregulloj radion e t’i vërë në lidhje me padronët që i kanë dërguar.
Mbi këtë informacion u bënë analiza detajuese nga u dol me masat që duhet të merrte grupi për lidhjen dhe futjen nën kontrollin e tij, të bandës së mësipërme. Për të realizuar detyrat e marra, u nisëm me objektivin: Lidhja të bëhet nëpërmjet “Drizës”, sipas parrullës së lënë. Nëse banda nuk pranon, të mos lihet takim tjetër. Nëse nuk vihet në dispozicion të grupit, të asgjësohet. Të kihet kujdes e të ruhet sekreti. Asgjësimi të bëhet i kamufluar.
Për fitoren mbi bandat diversioniste që dërgoheshin nga zbulimet e huaja me qëllime terroriste, kishte rëndësi maskimi. Pra, paraqitja mes veshjes dhe përshtatjes me jetën e banditit, në funksion të plotësimit të elementëve që impononin kundërshtarin të besonte idenë e bërjes së jetës në arrati. Kontigjenti që përballeshim përmes lojës e kombinacioneve tona agjenturore, ishte instruktuar e përgatitur në kurse speciale nga kuadro që edukonin e impulsonin reflekse dhe reagime sa fizike dhe psiko-logjike, për të nuhatur e vlerësuar çdo veprim të personave që kontaktonin e bisedonin. Kjo impononte t’i kushtonim kujdes llojit dhe mënyrës së të veshurit, sjellurit, qëndrimit deri dhe të mbajtjes së armës në plotësim të figurës së banditit, për të arritur qëllimin e vërtetë të lojës. Ishin këto arsyet që diktonin të ndiheshim të angazhuar në prag të takimit me bandën “Mavija”.
Ishim gati e që të gjithë të maskuar, të veshur e mbathur si bandit. Qoftë dhe një i afërm, zor se mund të na njihte.
“Çipini” urdhëroi nisjen e grupit. Porositi të fiken dritat, për të mos rënë në sy dhe kërkoi hipjen e shpejtë në makinë, pa zhurmë. Do niseshim drejt vendit të caktuar. Kur shoferi hapi derën dhe me vështrime të kujdesshëm bëri shikimin e secilit, ngadalë foli: “Keni hipur të gjithë o divat e “Qemalit”. “Studenti”, që vështirë t’ia kuptojë humorin, e tërhoqi nga vetja dhe fshehtasi, por me zë lartë, ngacmoi: “Çekiçit” i mungon “Troka”. Qeshëm të gjithë. Dera u mbyll e makina u nis. Sa dolëm jashtë portës së shtëpisë ku ndodheshim e ku bënim maskimin dhe përgatiteshim për shërbime speciale, ja morëm këngës.
Nga do shkojmë o Tafilo,
Tafilo, o Tafil Buzi....
Kjo këngë kishte historinë e saj që e njihnin shokët e grupit. Sa herë niseshim për t’u përleshur me kriminel terroristë, banditë diversionist, ja merrnim kësaj kënge. Ishte kënga “e shansit”. Më tepër këndonte Haxhi Shurdhi, që përveç tiranses, ja merrte edhe labçe. Kështu shtymë rrugën nga Tirana në Korçë. Në hyrje të qytetit, makina me shenjën e kryqit të kuq, ngadalësoi ecjen.
Oficeri i rojes së degës së Punëve të Brendshme Korçë, ishte porositur që makinën me targa x, ta lejonte të hynte brenda me gjithë personat “emigrantë grekë” që kishte në të. Ndaj sa u prezantua shoferi, polici hapi portën. Megjithëse kureshtja kritikohet, në veçanti në punët e fshehta, kishte policë, ushtarë e oficerë, të ndodhur brenda territorit, që na shihnin me habi e pyesnin njëri-tjetrin, kush ishin e kë përfajësonin të ardhurit rishtazi. Pamja jonë, domosdo tërhiqte vëmendjen dhe kuriozitetin e tyre, por vetë sqaronin: “Janë emigrantë grekë”.
Mbasi zumë vende në një dhomë, Rexhep Kolli “Dajti”, që kishte ardhur nga ministria para nesh, për t’u njohur me veprimet tona dhe kordinuar punën me drejtuesin e degës së Brendshme Korçë, mori “Çipinin”, Asim Aliko, e “Çekiçin”, Hekuran Pobrati, dhe bashkë u nisën për te kryetari i degës Bilo Bregu. Dera u hap. Duke uruar mirëseardhjen, ai e mbylli atë me shpejtësi dhe siç ishte në këmbë, na shikoi me vërejtje secilin në sy. Sa mirë jeni maskuar e përshtatur legjendës. Edhe unë, shoku juaj, me vështirësi iu dallova. Na përqafoi, na ftoi të uleshim për rreth tavolinës. “Për misionin tuaj, foli ai, jam vënë në dijeni nga ministria dhe kam porosi të bisedoj me hollësi, në vartësi me të dhënat tona, për të konkluduar me saktësi për ndihmën që duhet t’u japim në veprimet që do të kryeni në rrethin tonë”...
Grupi special i Sigurimit të Shtetit bën koordinimin e veprimeve dhe niset për të marrë takim me diversantët e ardhur nga Malta, të dërguar nga anglezët ...
...Mbasi zumë vende në një dhomë, Rexhep Kolli “Dajti”, që kishte ardhur nga ministria para nesh, për t’u njohur me veprimet tona dhe kordinuar punën me drejtuesin e degës së Brendshme Korçë, mori “Çipinin”, Asim Aliko, e “Çekiçin”, Hekuran Pobrati, dhe bashkë u nisën për te kryetari i degës Bilo Bregu. Dera u hap. Duke uruar mirëseardhjen, ai e mbylli atë me shpejtësi dhe siç ishte në këmbë, na shikoi me vërejtje secilin në sy. Sa mirë jeni maskuar e përshtatur legjendës. Edhe unë, shoku juaj, me vështirësi iu dallova. Na përqafoi, na ftoi të uleshim për rreth tavolinës. “Për misionin tuaj, foli ai, jam vënë në dijeni nga ministria dhe kam porosi të bisedoj me hollësi, në vartësi me të dhënat tona, për të konkluduar me saktësi për ndihmën që duhet t’u japim në veprimet që do të kryeni në rrethin tonë”.
Në përfundim, kërkoi të paraqitej në zyrën e tij M.C.- Miti Çomo, që ndiqte e mbulonte punën kundër bandave e diversantëve. Kur ai erdhi, bëri prezantimin sipas pseudonimeve që mbanim, duke i thënë: “Ç’farë sheh dhe do dëgjosh është pjesë e misioneve speciale dhe kombinacioneve agjenturore me rëndësi që realizohen kundra bandave diversioniste. Pra kanë ardhur të marrin kontakt me një bandë të tillë”.
M.Ç shtangu e mbeti në këmbë. Hidhte vështrimin sa tek “Çipini” tek “Çekiçi”. Nuk dinte me kë kishte të bënte. Shikonte me habi. U ul dhe dëgjonte me vëmendje.
Më pas e mori fjalën “Çipini”, i cili qetësisht shpjegoi: “Driza” një person nga Dushari i këtij rrethi, ka mundur të mësojë, se një bandë diversantësh që ai nuk shpjegon se ku ndodhet, kërkon takime me përfaqësues të “Frontit të Rezistencës” dhe si të tillë do të prezantohemi ne”.
“Çakalli”, Muhamed Bej Guri, që di sa më sipër, nga “Driza”, vjehrri i tij, na ka informuar ne, duke ditur se komunikon me Frontin e Rezistencës. Ai gjykon që takimin me bandën ta realizonim, pas takimit me “Drizën”. Kjo bëhet e domosdoshme, sa për të sqaruar më tej rrethanat mbi bandën edhe për të shmangur e ruajtur çdo veprim të saj kundra nesh.
Kështu u thirr në takim “Driza”, tek shtëpia e mikut të tij “Çakalli”. Ai nuk na shpjegoi se ku ndodhet banda, as na tha kush janë pjestarët e saj, veç ekspozoi se përbëhet nga katër veta dhe është dërguar nga zbulimi anglez. Banda ka ardhur nga Malta, duke u përcjellë për në Shqipëri nga një oficer dhe mban lidhje me bandën e Hamit Matjanit e Tefik Kokelës.
Nga takimi e biseda me “Drizën”, vumë re se banda nuk ka besim të plotë në ekzistencën e organizatës Fronti i Rezistencës, në elementin e saj dhe në grupin tonë. Për të ruajtur lëkurën, ajo nuk i jep “Drizës” të dhëna që e venë në rrezik, ose vetë “Driza” mban rezerva”.
Për ne është e qartë, banda ndodhet këtu, në zonën pranë rrethit të Korçës dhe “Driza” me të mban lidhje. Këto dyshime e të tjera, duhet të na përgatisin mirë për takimin me të. Për të zbuluar çdo të papritur dhe për të shmangur çdo veprim të saj brenda nesh.
Takimi me “Drizën” është lënë me sinjale; në dritaren e parë në Jug, në pjesën që nuk ka xham, por teneqe, duke trokitur tre herë. Kur “Driza” që fle në atë dhomë, do përgjigjet, t’i jepet parrulla: “Më ka humbur kali. Mos ta zuri syri në livadhin tënd”.
Grupi ynë që do takohet me bandën është më i madh në numër, për të qenë i sigurtë likujdimi i saj. Por, mund të ndodhë që të jetë dhe me forca të barabarta me bandën. Me të kontakti do merret natën dhe veprimi do kryhet brenda saj. Në qoftë se nuk pranojnë kushtet tona, do të bëhet likujdimi atë çast. Dita paraqet rrezikun e dëshifrimit. Kjo, jo vetëm bën të pamundur likujdimin e diversantëve, por vë në rrezik jetën tonë.
Siç e shikoni, veprimi është delikat. Kërkohet vigjilencë, kujdes, shkathtësi dhe gatishmëri e përsosur. Nga ju na duhet një punëtor operativ, njohës i zonës e i fshatit Dushar e të di shtëpinë e “Drizës”; në veçanti lidhjet e bandave diversioniste”.
Kryetari hapi kasafortën, nxorri një dosje dhe prej saj, një letër të shkruar me dorë që duke e treguar tha: “Para disa muajsh ka rënë në duart tona kjo letër që i drejtohet Asim Lleshit nga Dushari, i cili ka djalin prej kohësh në arrati. Letra i dërgohet nëpërmjet një personi me pseudonimin “Vetëtima” dhe firmoset me emrin “Lisi” që duhet të jetë pseudonim. Dëgjoni çfarë i shkruan: ”Mos kini merak, ndodhemi në duar të sigurta. Bëj pjesë në një organizatë me emrin “Fronti i Rezistencës” që shtrihet në disa rrethe dhe bën një luftë të vendosur kundra pushtetit. Unë jam me punë përgjegjës për një zonë...Jam me shëndet mirë. Po të keni merak dhe nevojë, lidhemi me letra nëpërmjet mikut që më dorëzuat. Përqafime “Lisi”.
Për djalin e Asim Lleshit, i arratisur (si e dinte kryetari), kemi të dhëna se ku strehohet. Për të, ka dijeni kunati i tij nga Çekini i Gramshit. Kohët e fundit, Asimi ka bërë lëvizje të shpeshta. Është parë në Korçë, Kolonjë dhe Gramsh, tek dhëndërri në Çekin, ku ka dhënë vajzën. Të shumta janë lidhjet e tij me Sulo Abazin, me të cilin është nga i njëjti fshat dhe gjatë luftës ka mbajtur qëndrim të mirë. Për disa vjet ishte kryetari i Këshillit të fshatit. Më vonë, për disa gabime nuk u zgjodh. Kjo e ka bërë të pakënaqur. Nga Dushari, ndodhet i arratisur Mustafa Sula, i cili përgatitet në një kurs spiunazhi për t’u dërguar si diversant në Shqipëri. Është dinak dhe i shkathët. Lidhjet e tij të afërta, kohët e fundit kanë ndryshuar qëndrim. Çuditërisht punojnë dhe mbajnë qëndrim të drejtë ndaj shtetit. E dyshimtë është dalja natën e Sulo Abazit, njëri nga pjestarët e familjes së të arratisurit Mustafa Sula.
Mbi këto të dhëna, shton kryetari, arrijmë në konkluzionin: “Se banda, ku ndodhet edhe i arratisuri Mustafa Sula, ka mundësi të jetë në Dushar dhe të strehohet tek Sulo Abazi. Nëse nuk ndodhet në fshat, veç Asim Lleshit, ka dijeni edhe Sulo Abazi”.
Unë e Asim Aliko shikuam njëri-tjetrin në sy, por ndërhyri Rexhep Kolli dhe sqaroi situatën e servirur Bilos: “Nëpërmjet Frontit të Rezistencës, përmes kunatit në Çekin të Gramshit, u tërhoq i arratisuri Novruz Lleshi dhe letra që u ka rënë në dorë është e tij, por e diktuar nga Sigurimi. “Lisi”, që është pseudonim, nuk ndodhet ku shkruan, por në burg dhe mbahet sekret. Me këtë veprim, kemi hapur dy kanale të lidhur me njëri-tjetrin, i Gramshit me Dusharin.
Armiqtë e lidhjet e të arratisurve, duke e ditur se punonin për Frontin e Rezistencës, fijet e së cilës ja kishim prerë, nuk lidheshin me të, po me organet e Sigurimit. Nga këto veprime, u arrit që i jati i Novruzit, “Driza”, nëpërmjet dhëndërrit nga Çekini, duke dashur të njoftonte organizatën, njoftoi Sigurimin. Korrieri i të quajturës organizatë i Frontit të Rezistencës, ishte punëtori operativ i Sigurimit. Sipas njoftimit, bëri takimin me “Drizën” në Çekin, në shtëpinë e dhëndërrit. Nëpërmjet tij, u qartësuan edhe njëherë të dhënat e mësipërme.
“Besoj shoku kryetar, e keni të qartë. Të dhënat tuaja përputhen me veprimet tona. Siç vepruam me Novruz Lleshin, nëpërmjet kunatit të tij “Çakalli”, që sot njihet si anëtar i sektorit të Gramshit, do të veprojmë edhe mbi këtë bandë diversantësh. Ky është synimi ynë, përfundoi “Dajti”.
Kryetari dëgjonte me vëmendje. Sa u ul “Dajti”, u çua në këmbë dhe u drejtua nga ne. “Ju falenderoj për ekspozën, tha ai, dhe ju uroj suksese në veprimet e mëtejshme”.
Porta u hap. Makina doli jashtë qytetit dhe mori rrugën drejt Dusharit. Shoferi sinjalizoi se po i afroheshim vendit dhe ngadalësoi ecjen. Kur kaloi një kthesë, ndaloi në një grykë. Ai kishte përvojë. Dinte të maskonte qëllimin e udhëtimit për të ruajtur sekretin. Doli jashtë, i vuri një gurë rrotës për ta fiksuar, hapi kapakun e motorrit, hodhi rrotën tjetër rezervë për tokë, pastaj hapi derën, e uroi, “u pafshim si gjithmonë fitimtarë”. Këtu u ndamë edhe me “Dajtin”, i cili do të na qëndronte afër për të bërë koordinimin midis grupit, degës së Korçës dhe Ministrisë. Ndaj porositi edhe njëherë M.Ç të siguronte informacion të shpejtë për çdo veprim.
Natë e errët. Kohë e vrenjtur. Kishin kaluar orët e kishte rënë qetësia, por duhej zgjedhur rruga me kujdes. Përpara ecte M.Ç, mes një pylli me lisa të rrallë. Koha sa vinte e keqësohej. Vendi për ne ishte i panjohur, por duhej shpejtuar pa zhurmë për të arritur ku ishte vendosur të bëhej qëndrimi i ditës, në Dushar, mbi shtëpinë e Sulo Abazit e “Drizës”, ku kullosnin bagëtia.
Mbas disa orë udhëtimi, ju afruam vendit që pa gdhirë. Duke u ngjitur nëpër shkëmbinjtë përmes një pylli me shkurre, shkozë e aishte, arritëm e zumë vend në një guvë, përfund një shkëmbi. Pa u sistemuar mirë, zuri një shi i madh që erdhi si vinë shirat në këtë muaj. Shtrëngatë me bubullima, mjergull e shkreptima që vazhdoi deri pasdite.
Data shënonte 2 qershor 1950. Por në vende të larta bën ftohtë dhe ne mbanim mbi shpinë, të ftohtin e natës dhe lagështinë e shiut. Keq e kishim të gjithë, sepse nuk mund të ndiznim zjarre, për arsye se diktoheshim nga tymi. Më keq e kishte roja që vrojtonte në të çarën e një shkëmbi. Këtë detyrë e bënte M.Ç, se njihte personat që lëviznin, për të cilët kishim interes.
Mbas një çlodhje të shkurtër, ngritëm njëri-tjetrin dhe u grumbulluam tek “Çipini”. Ai informoi për konkluzionet që arritën në mbledhjen e përbashkët në varësi edhe me të dhënat e degës së Korçës. Megjithëse plani nuk pësoi ndryshime, ai përsëriti variantet e veprimit, për të arritur suksesin. Për të gjithë ishte takimi i parë me banda diversantësh, që dërgoheshin nga jashtë, prandaj secili mendonte ta kryente mirë detyrën.
Në perëndim të diellit, po na afrohej një tufë dhish që zbriste nga mali, pas tyre bariu, djalë 17-vjeçar. Kur u informuam prej M.Ç, se ishte nga pjestarët e familjeve që kishim interes, lëvizëm nga vendi, për t’i lënë të kuptonte se i ruhemi, “pasi jemi në udhëtim”.
Qëllimit të ardhjes në këtë vend u arrit. Ne ishim të bindur se bariu do të njoftonte Sulon dhe “Drizën”, se pa një bandë që vinte nga rrugë të largëta, prej pyllit të Baftjesë dhe qafës së Gjarprit, andej nga e prisnin ata ardhjen. Kur u err mirë dhe u bindëm se s’kishte lëvizje në fshat, u nisëm drejt takimit me bandën “Mavija”.
Ecnim me kujdes, për të mos u ekspozuar. Ju afruam shtëpisë. Grupi u vendos mbi rrugë, buzë një kodre me shkurre. ”Çipini” urdhëroi “Çekiçin” e Haxhiun për të marrë lidhje me “Drizën”, dhe M.Ç që të na tregonte shtëpinë e të largohet për të mos rënë në sy, se mund ta njihnin. I afrohemi shtëpisë, qëndrojmë tek dritarja e caktuar dhe japim parrullën.... Dera hapet, sikur “Driza” të ishte gati, nga dolën njëri pas tjetrit dy vetë, i pari, pas një vrojtimi me sekonda i drejtohet me shpejtësi “Çekiçit”, me mallëngjim e dashuri. I zgjat krahët ta përqafojë, duke i thënë: “Sa të kam pritur; më ka marrë malli; më ka lodhur dashuria”. Ja hodhi duart dhe filloi ta shtrëngonte. “Çekiçi”, që e kuptoi se ishte gruaja e Novruzit, u tërhoq dhe i tha: “Jam unë moj motër, mos u bëj merak. Novruzi është mirë, është i zënë me punë e nuk erdhi dot”. Ajo u turpërua, uli kokën e u largua. “Driza” që ishte pas saj, që dëgjoi e i pa të gjitha, me nervozizëm foli: “Pse se lanë. Na ka marrë malli”. Aty ndërhyri Haxhiu duke i hedhur duart në qafë, e i tha: “Ju lutem zoti “Driza”, uleni zërin se do diktohemi dhe më keq është për ju...” I futi krahun dhe vazhdoi: “Këtu na pret “Çipini” me shokët”. “Çekiçi” u mënjanua pak dhe i bëri “Drizës” prezantimin e “Çipinit” dhe “Studentit” që i ishin afruar shtëpisë. Duke pritur, ata i kishin dëgjuar të gjitha fjalët. U përshëndetën e u përqafuan ...
- Lista e të ekzekutuarve nga Hamit Matjani
Thoma Prifti
Abdulla Sinani
Shahin Himçi
Ismail Alushani
Sabri Sinani
Lazër Dollani
Cane Gonaj
Sali Zajmi
Ali Starja
Vangjel Riska
Servet Hoxha
Keko Rasipi
Hysen Kumanova
Lush Lemati
Xhemal Bregu
Maliq Miraka
Riza Sheza
Haziz Hoxha
Maliq Iliazi
U takuam në një vend, i zgjedhur për takime, që kishte për qëllim të mos i ekspozoheshin “Drizës” të gjitha forcat e grupit. U ulëm të katërt, “Çipini” bëri prezantimin. U përshëndetëm dhe u përqafuam dhe njëherë. Pas kësaj, fjalën e mori “Çipini”: “Ja, mbas një udhëtimi të gjatë e të vështirë natën, rrugë e pa rrugë, erdhëm”. Pasi e pyeti për gjendjen e tij dhe të familjes, vazhdoi: “Jeni bërë merak për Novruzin, megjithëse kemi mbi një muaj që jemi takuar, dimë se është mirë me shëndet. Zoti “Driza”, detyra jonë është të punojmë për t’u përgatitur që të luftojmë, për të fituar mbi komunistët. Që të bëjmë këtë, duhet të ruhemi. Novruzi nuk erdhi se ishte i zënë me punë e nuk e lanë. Nëse do vinte me ne, po të ndodhte të diktoheshim, ku u puthëm e u përqafuam, mund të goditeshim nga grykat e pushkëve të komunistëve. Kështu nuk do takoje as Novruzin dhe as ne. Po dhe punët e filluara nuk do vinin deri këtu. Në qoftë se kjo do ndodhte, me siguri do dëmtoheshit familjarisht, për këto arsye, shokët nuk ishin dakort që Novruzi të vinte në vendin e tij, se njihet. Ai do jetë herë tjetër, vetëm për t’u çmallur me ju”.
Në përfundim, “Driza” i dha të drejtë “Çipinit”. Por çfarë e shtynte të mbante qëndrime ndaj nesh?! Në Çekin, nuk ju premtua ardhja e të birit, ai vetëm pyeti për të. Është dashuria e babës për birin, apo banda diversante me të cilën do merrnim lidhje, e shtyrë për të qenë e sigurtë e për të zbërthyer dyshimet ndaj nesh, insiston ta kërkojë e takojë Novruzin?!
Mbasi “Driza” u pyet për shëndetin e banditëve, u porosit të shkonte t’i merrte për të bërë takimin, sipas kërkesës së tyre pa humbur kohë, duke iu lutur, me që ishim pa ngrënë, të na binte dhe pak bukë, me ç’ka t’i ndodhej. Kur “Driza” u nis tek diversantët, ne shkuam tek shokët, të cilët i njoftuam për gjithçka dyshuam në bisedën e bërë me “Drizën”. Sidomos për masat që duhet të merrnin në momentin dhe vendin ku do bëhej takimi. Të shikonim nëse do vinin të gjithë, apo do mungonte ndonjë për të siguruar bandën gjatë takimit e të vepronte kundra nesh në rast rreziku.
Sa vështirë është të depërtosh në mes një bande dhe në një kohë të shkurtër, t’u heqësh çdo dyshim e të krijosh besim. Të gjesh momentin të korrespondosh me shokët pa shenja e pa folur, për të ndërtuar çastin e sulmit mbi ta. T’i kapësh e asgjësosh duke ruajtur shokun dhe sekretin e punës, për të vazhduar rrugën e mbrojtjes së atdheut. Me sa të papritura ndeshesh; sa pikëpyetje duhen zgjidhur; sa dyshime duhet të sqarosh; sa e vështirë. Luftë nervash, tru më tru. Këto vështirësi e të papritura nuk na frikësuan, përkundrazi, na përgatitën e na dhanë forcë të fitojmë.
Duke ecur mbi gurët e një rrugice të ngushtë natën, befas na doli përpara “Driza”. Këtij burri të shkurtër mezi i dallohej koka, ndërsa trupi nuk i dukej, pasi i ishte mbuluar nga shkurret, shkozat e dushkajat e të dy anëve të rrugës. Me lëvizjen e kokës, ai njoftoi se po vinin. Pas tij, dhjetë pesëmbëdhjetë metra u duk një burrë i gjatë me trup të drejtë e veshje fshatari të asaj zone. Kur na dha dorën, “Driza” na prezantoi: “Është “Llani” një nga besnikët e tyre”. Kuptuam se nuk ishte emri i tij, por strehuesi i tyre që për ta ruajtur i kishin vënë këtë pseudonim. Pas pesëmbëdhjetë minutash të tjera, nga i njëjti drejtim, u dëgjua një trokitje gurësh që e dëshifroi “Llani” si sinjal, prandaj shpejtë vrapoi në atë kah. Njërin pas tjetrit, i pruri tek ne. Jo të gjithë bandën njëherësh, po në dy pjesë. Sipas radhës, na prezantoi të parin “Lupin” si përgjegjës, pas tij “Topin”, “Urithin”, “Plumbin”, “Bredhin” “Minin”.
Mbasi zumë vend, u bë prezantimi edhe nga ana jonë. Të dy përfaqësuesit u ulën përballë njëri-tjetrit, ndërsa ne u shpërndamë dhe u futëm midis diversantëve e bashkëpunëtorëve të tyre që i shoqëronin, të cilët ishin të panjohur dhe të pallogaritur si forca në ndihmë të bandës.
Para se të fillonin bisedimet, diversanti me pseudonimin “Plumbi”, Mustafa Dushari, iu drejtua përgjegjësit: “Zoti “Lupi” (Seit Bylybashi), do të kemi roje?”. “Po, iu përgjigj ai, dhe roje del t’i”. “Çekiçi” që i është afruar dhe i qëndronte pranë sikur ta kishte njohur prej vitesh, i hodhi dorën në sup dhe i tha: “Do dalim bashkë”. Në të njëjtën kohë, njoftoi “Çipinin”: “Sipas radhës po dal unë roje së bashku me zotin “Plumbi”. Dil, u përgjigj ai, por kujdes se dhe gardhi ka sy e vesh. Kur u largua disa metra, “Çekiçi” me qëllim për të qenë afër grupit për të dëgjuar zhvillimin e bisedimeve dhe parrullën e shpërthimit mbi diversantë, që do jepej nga “Çipini”, vendosi të jetë afër tij. I thirri diversantit që ishte duke ecur: “Zoti “Plumbi” nuk duhet të largohemi se komunikojmë me vështirësi dhe nuk bëjmë mirë sigurimin e tyre. Vendi më i përshtatshëm është ky”. Drejt iu përgjigj “Plumbi”.
-Çfarë emri keni. -Atë që prezantova, “Çekiçi”. -Ai është pseudonim. -Po edhe i juaji pseudonim është. -Në ilegalitet kur keni dalë? -Kur u okupuam nga komunistët.
-Zoti “Çekiçi”, çfarë qëndrimesh mban organizata juaj ndaj Jugosllavisë dhe me cilën organizatë jashtë vendit keni lidhje?
-Zoti “Plumbi”, mos është më mirë të ruajmë shokët?!
Ai pa me vërejtje “Çekiçin”, sikur donte t’i thoshte: “Mirë t’i ruajmë, por kur qenke kaq i rregullt, pse ma mban armën në krah”. Ndoshta u çudit edhe pse “Çekiçi”, i qëndroi ftohtë këtij “luftëtari” të ardhur nga shtetet e mëdha. Bëri një hap anash, nxori revolverin “Smith” e kontrolloi dhe me automatik në dorë qëndronte në gadishmëri. U kthye përballë pyllit e rrugës. Kthente kokën e me vëmendje dëgjonte e shikonte çdo lëvizje. Por më kot, ai dhe shokët e tij ndodheshin me kohë në mes të atyre, nga të cilët donte t’i ruante.
I pari e mori fjalën përfaqësuesi i diversantëve që mbante pseudonimin “Lupi”, i cili u prezantua si zëvendëskomandant, “mbasi komandanti për arsye pune mungonte”.
Për të na bindur me shpjegimet dhe autoritetin si njeri i ditur, duke u munduar ta paraqiste veten si organizator, terroristi filloi të flasë fjalë të huaja që i kishte mësuar nga kishte ardhur. Mbasi tregoi se ishin dërguar nga komiteti “Shqipëria e Lirë”, me detyrë të shikonin gjendjen e popullit dhe gatishmërinë për ta hedhur në luftë kundra pushtetit, shpjegoi se në Shqipëri kanë ardhur dhe punojnë në zona të ndryshme disa banda.
Në krye të këtij komiteti, vazhdoi përfaqësuesi i tyre, që e ka qendrën jashtë, qëndrojnë burra që kanë dhënë prova ndaj atdheut. Këta kanë vendosur, të ndihmuar nga anglo-amerikanët, të luftojnë për të rrëzuar pushtetin që udhëhiqet prej komunistëve. Për të arritur fitoren, theksoi ai, të gjitha forcat e Shqipërisë, kudo që janë, të hidhen në luftë nën drejtimin dhe komandën e këtij komiteti.
Ne dëgjonim me vëmendje. Sa më shumë fliste aq më tepër mbusheshim me urrejtje. Ajo arriti kulmin, kur për të krijuar bindje tek ne, filloi të fliste për vrasje dhe atentate ndaj njerëzve të pushtetit dhe partisë. Duke folur për situatën e jashtme, cilësoi gatishmërinë e anglo-amerikanëve dhe aleatëve, për ndihmën që i japin kësaj lufte.
Oratori e mbylli ligjërimin me fjalët: “Vetëm nën drejtimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”, që njihet nga aleatët si kundërshtar i vërtetë kundra pushtetit në Shqipëri, sigurohet liria. Ky komitet ka forca të shumta të përgatitura për luftë dhe mjete të bollshme që na janë siguruar”.
Duke i rënë automatikut që mbante me dorë, ngriti zërin dhe tha: “Ja burra aeroplanët që na kanë zbarkuar këtu, rrobat që kemi veshur e deri tek ky automatik sot, e ata topa nesër që do të shpërthejnë në luftë mbi kokat e komunistëve, janë të aleatëve”.
Fjalët e tij na bindën si do përfundonte ky takim. Ato i dëgjoi dhe “Çekiçi” që bënte roje e priste urdhër. Diversantët kërkonin gjak. Ishte e vështirë të duroje e prisje sinjalin. Për ne ishte e qartë. Nuk duhet të vononim. Kapja gjallë nuk ishte e lehtë. Fitonte kush ishte i qetë dhe gjente momentin e befasisë. Këtë prisnim të gjithë. Por momenti ishte vështirë të përcaktohej, s’mund të pritej gjatë. Të vështirë e kishte edhe “Çipini” të jepte urdhër. Duhet të gjente çastin për të siguruar fitoren, prandaj hezitonte e priste për të dhënë sinjalin e goditjes. Duhet të duronim. Por sa? Kjo ishte torturë për të gjithë.
“Çipini” e dëgjoi me vërejtje “Lupin”, mori fjalën si përfaqësus i organizatës “Fronti i Rezistencës”, e foli në mënyrë që të linte te diversantët përshtypjen se për t’i shpëtuar goditjeve të forcave qeveritare, duhet punuar në konspiracion dhe cilësoi se organizata e përmendur, këtë direktivë e zbatonte brenda radhëve dhe jashtë tyre. Këtë, “Çipini” e bëri për të hequr dyshimet e lindura tek diversantët dhe të forconte besimin për besnikëri të organizatës. Për këto arsye, vazhdoi ai, nuk u lejuan të vinin në takime me ne, ata persona që njihen si luftëtarë e simpatizantë të saj në këtë zonë. Një konspiracion i tillë, tha “Çipini”, ka zgjeruar radhët dhe ka ruajtur kuadrot e organizatës. Prandaj zoti “Lupi”, pyetjeve tuaja do t’u përgjigjem sa më lejohet dhe sa di. Në krye të kësaj organizate, të njohur me emrin “Arbi” dhe në zonat ku operojmë, janë vendosur elementë patriotë që kanë dhënë dhe japin prova besnikërie si kundërshtarë të regjimit. Ne mbështetemi tek ata që kanë marrë pushkën e kanë dalë malit. Sot këta përbëjnë bërthamën e ushtrisë së ardhshme që vjen duke u rritur...
“Nga vetë emri ‘Fronti i Rezistencës’, kuptohet detyra dhe qëllimi i organizatës, vazhdoj ‘Çipini’. Ajo organizon të gjithë kundërshtarët brenda dhe jashtë atdheut. Ti hedhë në frontin e luftës së rezistencës për fitore. Ndoshta dhe jashtë është dëgjuar zëri i “Tomorrit” “Darës” “Malit”, “Tiranës”, “Studentit”, “Memtorit”, “Kaçatorrit” e shumë të tjerëve që luftojnë në krye të forcave nën udhëheqjen e ‘Frontit të Rezistencës’.
Lufta, zoti “Lupi”, bëhet në Shqipëri, përballë armikut. Ne i shohim jo me vend veprimet dhe qëndrimet e patriotëve të komitetit ‘Shqipëria e lirë’ dhe të partive të tjera jashtë atdheut. Përçartjet dhe qëndrimet e tyre, siç pohuat vetë, kur folët për mënjanimin e ‘Bllokut indipendentë’ dhe ‘Partisë agrare’, nuk i shërbejnë çështjes sonë. Sot koha nuk lejon për me pasë mosmarrveshje”.
Fjalët e “Cipinit”i egërsuan diversantët dhe veçanerishte zotin “Lupi”, i cili e shihte me mjafte egërsi “Çipinin”. Kontradita midis të dy grupeve, arriti kulmin. Diversantët të nervozuar, nuk i mbante vendi. Kritikat ndaj veprimatrisë së komitetit “Shqipëria e lirë”, i vunë në alarm.
Mezi po duronim. Prisnim të na jepej urdhëri. Haxhi Shurdhi që ishte ulur në krah të një diversanti, në shenjë nervozizmi, filloj të kollitej. Me këtë, donte ti thoshte “Çipinit”: “Nuk presim më”.
Për të na qetësuar dhe gjetur kohën e përshtatshme për goditje, “Çipini” e vazhdoj bisedën e tij: “Ne zotërinj mirëpresim të gjithë patriotët jashtë atdheut dhe ju bëjmë thirrje, të vijnë këtu. Shqipëria sot ka nevoj, e sidomos për ata që janë figura të njohura, të bashkohemi në një fronte të vetëm, në atë të “Frontit të Rezistencës”. Ky bashkim siguron lirin e Shqipërisë”.
Fjala e “Çipinit” i iritoj edhe më tej banditët. Ata nuk mund të pranonin kurrësesi, vënien e tyre nën diktatin e organizatës “Fronti i Rezistencës”, prandaj insistonin në të kundërt. Situata ku ndodheshin krijoi kushte për të lënë një takim tjetër, për të cilin palët dhanë pëlqimin e tyre.
Qetësi. Përfaqësuesit ranë dakort. Shtrëngojnë duartë. “Çipini”, me shaka duke qeshur me zë të lartë, që fjala të dëgjohej edhe nga “Cekiçi” që ishte roje, i drejtohet “Lupit”, përfaqësuesit të diversantëve: “Turp për këta miqtë tuaj dhe tanët zoti “Lupi”, të na përcjellin pa bukë”.
Ra heshtja. “Çipini” ndërkohë citon fjalët: “Na bini pak, me se t’ju ndodhet”. Që në të vërtet, nuk kishin lidhje me bukën, aq më pak, me dëshirën për të ngrënë. Kjo ishte parrulla që udhëronte sulmin.
Grupi sulmoi. Pushkë e klithma u ndihen në një kohë. Kur “Plumbin”, Mustafa Dusharin, e goditi plumbi; “tradhëti, thirri diversanti që ishte me ‘Çekiçin’ roje”, i cili tentoj ta qëllojë me kobure Hekuranin, por s’mundi. “Çekiçi” e goditi për së dyti dhe ai, ra i vdekur në tokë. Menjëherë vrapoj e ju gjendë “Çipinit” pranë. Ai ishte hedhur ta kapte të gjallë “Lupin”, përfaqësuesin e diversantëve. E kishte mbërthyer dhe futur gjahun midis thonjve, si shqiponja. Me duart e fuqishme e kishte shtrirë dhe ja kishte kthyer krahet pas, për ta lidhur. Kur arriti tek Asim Aliko, Seit Bylybashi ju lut Hekuranit të parruar e me mustaqe të gjata: “Aman o xhaxho, më ndihmo të shpëtoj se po më nxjerr shpirtin e po më mbyt “Çipini”. Për këtë kam ardhur, i fola nxitimthmi, por errësira e natës më pengon të gjej kokën, o biri xhaxhait. Ndaj nxirre të ta shoh, ku e ke. Dhe “Lupi” ashtu bëri, pa menduar se ky veprim do të shërbente për nxjerrjen jashtë loje të tij.
Duke mos kuptuar se ç’ka po ndodhte në këtë përleshje midis anëtarëve të bandës diversioniste “Mavija” dhe përfaqësueve të organizatës “Fronti i Rezistencës”, “Driza” i hutuar e ulur në gjunjë, u çua në këmbë. Me zë të lartë u drejtua të dyja palëve: “Çkini more. Ç’bëni kështu. Të shporren njëherë komunistët, pastaj zihuni me njeri-tjetrin”. Vrapoj me të shpejtë drejt “Lupit” që kërkonte ndihmë, por ndërhyri Mark Dodani (“Studenti”), me një plumb, që i ndërpreu vrullin “Drizës” drejt “Çipinit” e “Çekiçit” që ende merreshin me Seitin, i cili i lidhur, pa fatin e shokut te tij.
Midis krismave, dëgjuam zërin e “Sokolit”, Haxhi Shurdhi: “U lidhe i gjallë diversant “Bredhi”.
Natës i kishin mbetur orët e fundit. Dita po fillonte të agonte. Duhej shpejtuar zbatimi i masave, që operacioni të mbaronte brenda errësirës. Mbasi u konsultuam, “Çipini” porositi shokët e veshur si banditë, të ndërronin uniformën për tu dukur si ushtarë të mbrojtes. Kjo bëhej për të mos ekspozuar veprimet. Të gjitha lidhjet e bandës që dinin se ajo u asgjesua, pas takimit me përfaqësues të “Frontit të Rezistencës”, të arrestohen, izolohen dhe mbahen sekret.
Pas kesaj “Çekiçi” dhe Haxhiu u nisën tek shtëpia e “Llanit”, ku ishim strehuar me diversantët. Të bënin kontrollin, për të marrë materialet e banditëve. Haxhiu pa u ndjere, arriti tek dera e shtëpisë. Tre hapa pas, ndodhej “Çekiçi”. Të dy i dhanë një të shtyrë derës. U gjendën me automatik në dorë në mes të dhomës. Në krye të saj, për rreth vatrës, qëndronin të ulur, një grua plakë dhe një burrë trup madh e i fuqishëm. Prezenca e tij ishte e papritur për ne. Ai kur na pa me tjetër pamje dhe jo si në mbrëmje kur ishim bashkë, u çudit. U kthjellua, u ngritë në këmbë dhe si bishë ju vërsul Haxhiut. Po kacafyteshin të dy. Megjithëse trup madhë, nuk mundi ta rrëzoj. Unë mbeta dy hapa larg. U ndodha ngushtë. E kisha të vështirë të qëlloja. Në dhomë, në mes të grave.
Çast i rëndë. Haxhiut nuk po i shqitej, krimineli i inatosur. Trupat e secilit ishin bërë një. I inkurajuar dhe nga gruaja plak që i rrinte pranë, jo vetëm nuk ndahej, por nuk më jepte mundësi të veproja. Duhet të gjeja momentin ideal. Të godisja kundërshtarin, që mund të më vriste shokun. Por duhet ta ndaja Haxhi Shurdhin nga plumbi im. E rëndë të vrisja padashje plakën, prezente në përleshje. Mbaja gishtin në këmbëzën e automatikut. Erdhi një momente, Haxhiu shtyu me tërë forcën kriminelin dhe e distancoj pak nga vetja... Ja trupi i tij. Unë sa të tërhiqja gishtin, por në kokë më kaloj një dridhje. Automatikun e kisha me breshëri. Dora veproi shpejt, mbase më parë se mendimi im. Bëri dy veprime. Nuk di se cilin më parë. Ndryshova gradimin apo tërhoqa këmbëzën. Godita. Me një plumbë të vetëm. Atje tej, dy-tre metra larg, dëgjova një “ah”. Eh, çfarë çasti. Doli gjak. Dy trupa qenë shtrirë. Me një frymë ju hodha shokut tim. Ngrita Haxhiun. Ai ishte gjallë. Agjenti i vdekur.E kishte mbërthyer plumbi në ije. Haxhi Shurdhit, gishtin.
Incidenti, ku për pak, humbëm jetën, ndikoj në një kuptim tjetër. Së pari, për të qenë të kujdesshëm në veprimet tona, dhe së dyti evidentoi figurën e plotë të terroristit “Mini”. Për të cilin, dinim se ishte pjesë e bandës “Mavija”, duke shërbyer si ndërlidhës. Ai pasi kishte dëgjuar krismat e përleshjes midis nesh e banditëve, shkoj shpejtë, në shtëpinë e”Llanit”, për ta informuar çfar ndodhte. Në momente, në hymë dhe u ballafaquam me të, ku ndodhi ç’ka përshkruam.
“Çipini” pasi grumbulloi nga shokët informacionet përkatëse, njoftoj “Dajtin”se: “Anëtarët e bandës “Mavija” dhe bashkëpunëtorët e saj u asgjësuan. Një pjesë e tyre ndodhen në duartë tona”.
“Dajti”pak kohë më vonë, arriti në shtëpinë e “Drizës”, ku ju raportua për ç’ka ishte gjetur në odat e “Llanit”, të cilin e mori vetë në pyetje. Me kokën ulur e sytë në tokë, ai mezi i nxirte fjalët. “Mendja, budallalleku na bëri t’i donim, jo me shpirt, por se kishim frikë. Banditët na kërcënonin me jetën... Kaq di tju them... Ju veproni sipas ligjeve”.
Një grua e pranishme gjatë përleshjes së Haxhiut me “Minin” në shtëpinë e “Llanit”, e pranishme në bisedë, ndërhyri duke iu drejtuar: “Pergjigju drejt S. Aga, jo vetem ndaj popullit keni kusure, por dhe ndaj grave e fëmijve jeni gjynaqar me çfarë keni bërë. Trego ku i ke fshehur, të gjitha”.
“Llani” ishte futur në një det mendimesh dhe shikonte me habi “Çipinin” e ne të tjerët. Nisi të flasë me vehte. “Si arrita deri këtu?!”
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, gjetëm të fshehura armë, municion, napolona flori, një radio ndërlidhëse si edhe blloqet me kodet e shifrës, etj..
Në hetuesi, banditët deponuan, se në kurset që kishin bërë nën kujdesin e zbulimeve të huaja, rëndësi i ishte kushtuar përgatitjes për realizimin e akteve të terrorit. Si ti kryenin vrasjet e aktiviste të rinisë, gruas, kuadrove e figurave të rëndësishme të Luftës Antifashiste. Tërhiqte vëmendjen, mënyra si do i realizonin atentatet, në mitingje, në mbledhje, në zyra e shtëpitë e banimit.
Dita kishte rënë. Një pjesë nga ne, ndodhej në shtëpinë e “Drizës”. Aty do informoheshin dhe vendosnin ç’do të bënin me tej. Në të përfunduar të takimit, hyri në derë Bilo Bregu që kishte ardhur së bashku me forcat e ndjekjes. Duheshin maskuar veprimet tona, për të ruajtur deshifrimin e organizatës “Fronti i Rezistencës”.
Bilo u përqafua me të gjithë. Asim Aliko i futi krahun dhe e veçoj për ta njohur me personat në vëretje dhe të arrestuarit. Banditët e kapur, do t’i marrim ne, i tha Asimi. Dhe ti shoku Bregu, besoj je dakort.
Drejt i keni ndarë, ju pergjigjë ai, duke buzëqeshur. Këtë herë s’po bëni “hile”. Mjaft na keni “gënjyer”. Edhe para dy javësh, na dërguat një telegram, ku njoftonit se i arratisuri Novruz Dushari ndodhej në zonën x, dhe neve vu përpara për ta kapur, kur ju shoku “Çipini”, prej kohësh, e kishit në burg. Nejse, përfundoj Bilua, ju lumtë.
Rexhep Kolli na priste me padurim. Kur na pa, u lëshua drejt nesh. Na përqafoi e uroi për suksesin. Prej tij mësuam se kishte informuar Kadri Hazbiun dhe ministrin e brendëshëm Mehmet Shehun. Në Gramsh, ishte nisur Sulo Bedini dhe sipas planit të operacionit, kishte arrestuar ata persona, të këtij kanali që kishin dijeni për këto veprime. Kjo bëhej për të ruajtur sekretin e lojës. Megjithëse, kishim marrë masa, rreziku i dekonspirimit ekzistonte. Këtë e stimulonte edhe suksesi. Ne duhet të punonim, për të bindur zbulimet e huaja dhe elementin që bashkëpunonte me ta, se tradhëtia që çoi në likujdimin e bandës “Mavija”, ndodhej midis tyre. Për të zbatuar kombinacionin, vumë në përdorim “Lupin”, lidhje e bandës së Hamit Matjanit dhe Tefik Kokelës, i cili i diktuar nga ne, iu dërgoi një letër me këtë përmbajtje:
Zoti “Vali” e “Çuka”!
Duke shkuar në shtëpi të “Drizës” që na shoqëronte, u goditëm në befasi. Nga predhat e para mbetën të vrarë, “Plumbi” dhe “Driza”. Në zjarrin e armëve mundëm t’i shpëtojmë pritës. U informuam se forcat e sigurimit kanë eleminuar “Minin”, arrestuar “Llanin”, familjen e tij e të “Drizës” i mbajnë të izoluar.
Dyshimi për këtë tradhëti mbetet tek “Çakalli”, i cili para dy ditësh është larguar nga grupi, me preteks për të rregulluar gjeneratorin e radios, e nëpërmjet jush, të lidhej me qendrën. Në fakt, një natë para se të biem në pritë, ai ka shkuar tek miku i tij, që ka të bëjë me një oficer Sigurimi. Kohët e fundit, “Çakalli” ka pasur shenja vetmie e mërzitje. Dyshimi rritet më tepër, se nga momenti i shkëputjes së tij, rënies në pritë e deri në këto çaste që ju shkruaj, ne nuk dimë ku ndodhet, e pse u nda.
Merrni masa mbrojtëse. Njoftoni qendrën. E kemi të vështirë lëvizjen. Bazave tona që janë ekspozuar, nuk mund t’i besojmë. Lidhje pranojmë vetëm nëpërmjet mikut 10 (C), mbas dhjetë ditësh nga data trembëdhjetë e tutje, të çdo muaji.
“Lupi”
Kjo letër dhe masat e tjera që shoqëruan kombinacionin e realizuar nga organet e Sigurimit dhe ato të degëve Punëve të Brendëshme Korçë e Gramsh, krijuan bindje te bandat dhe bazat e tyre, se tradhëtia kishte ardhur nga brenda.
Megjithëse në kthim, ishim të shtrënguar, se ndodheshin dhe banditë, rrugën nuk e ndiem. Makina që udhëtonim, eci shpejt. Duheshim në qendër. Jo për të pushuar. Nuk ishte koha për të festuar. Duhej punuar.