Emri: Hekuran Pobrati
Datëlindja: 15 shtator 1920 Pobrat, Berat
Data e vdekjes: 30 korrik 1991
Profesioni: Oficer i Sigurimit të Shtetit
Rrugë Operacionesh
Në të dalë të fshatit Bulçare, përpara një shkëmbi të shkarë, i cili e
kishte zënë shtratin e rrugës, ku ditë të tëra nuk lëvizte asnjë
automjet, qëndroi makina jonë “Dajç”, prej nga zbritëm njëri pas
tjetrit, të pestë ne të maskuarit si diversantë. Të gjithë mbanim nga
një çantë shpine në krah, ku përveç sendeve të nevojshme për një të
arratisur, ishin edhe dy pila të thata për ushqimin e radios që përdorte
një nga shokët e grupit. Pesha që na rëndonte mbi shpinë e bënte rrugën
më të vështirë. Ky ishte udhëtimi i parë, prandaj paraqiste vështirësi.
Na mungonte eksperienca, se kalitja dhe të papriturat, rrjedhojë e
përvojës si pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacional
Çlirimtare, nuk na pengonte e shqetësonte. Kur flas për luftën, fjala
është për ata shokë të grupit, që milituan edhe në formacionet
partizane, jo për të tjerët, që ndonëse bashkëpunuan me ne, duke shlyer
fajet e së shkuarës, punuan me korrektësi.
Hekuran Pobrati -“Çekiçi”, përveç çantës që mbante në krah i ishte
besuar dhe detyra e vështirë dhe delikate e sigurimit të Ram Hoxhës
-“Trokës”, një i arratisur që dihej se ishte jashtë shtetit, por në fakt
ndodhej në duart tona i kapur sekret, që do të përdorej si lidhje e
grupit tonë me diversantët dhe bazat e tyre që e njihnin si bandit.
Dekonspirimi i kësaj forme pune, për çfarëdo arsye, jo vetëm
shkatërronte punën e filluar, por sillte edhe humbjen e jetës sonë.
“Troka” deri ato momente nuk kishte dhënë prova besnikërie, ndaj
shoqërohej i lidhur prej mezi nga i njëjti litar, që lidhte po në mes
“Çekiçin”. Veprim që synonte, sa ruajtjen nga tentativa e vetëvrasjes
edhe për të mos e lënë diversantin të riarratisej. Ai kishte detyrë të
shikonte e nuhaste çdo përpjekje për të sabotuar e dekonspiruar
“Trokën”, ball të cilit duhej qëndruar sy zgjuar, për të ndarë
sinqeritetin nga djallëzitë, gjatë bisedave me banditë, miq të tij
diversantë. Prandaj, edhe në erën e zhurmshme, çdo fjalë të “Trokës”,
“Çekiçit” duhet t’ia zinte veshi, si kundër kudo të ecej netëve të
errëta, Hekuran Pobratit duhet t’ia kapte syri.
Për ne ishte me rëndësi pozicioni që reflektonte “Troka” mbi banditët,
pasi duke u bindur këta, do transmetonin në bazat e tyre idenë se Ramë
Hoxha dhe miqtë e bandës në të cilën jeton, janë të arratisur të
vendosur për kryengritje të armatosur.
U futëm në mes të pyllit me lisa të gjatë e degë të dendura. Në një
rrugë dhish, ecnim në një të përpjetë për të arritur mbi Grabovën A,
afër stanit të “Ujkut”, ku do të bënim pushimin gjatë ditës.
Ecnim shpejtë. Në të gdhirë, kërkohej të ishim në vendin e caktuar. Kjo
diktohej, se lëvizjet ditën tërhiqnin vëmendjen e popullit, i cili i
acaruar nga veprimet terroriste të grupeve diversioniste, organizohej
rrufeshëm dhe godiste befasishëm, gjë që jo vetëm vinte në rrezik jetën
tonë, por dëmtonte rëndë punën e nisur.
“Troka”, që në mal vinte nga burgu, mezi i hidhte këmbët, lodhej shpejtë
nga ecja, pasi ishte i mpirë nga qelia. Ndaj, herë pas here i drejtohej
“Çekiçit”: “U lodha zotëri. Më duhet të qëndroj pak. S’kam forca që të
hedh asnjë hap”. Ai nuk e dinte pse duhet të ecnim shpejt dhe nga ne
arsyeja nuk duhej thënë. Prandaj, këmbëngulnim me kujdes për të mos
ndalur.
Në të dalë të pyllit, u ngjitëm një të përpjete të zhveshur. Bokërrimë
ku këmba nuk të zinte vend. Ndonëse, të mbështetur me njëri-tjetrin,
gurëzat që rrëshqisnin na merrnin me vete. Pa rënë drita, arritëm në
vendin e caktuar e u futëm në një pyll me ahe dhe u fshehëm midis
shkëmbinjve.
Këtu fillonte veprimi ynë i parë në rolin e të arratisurve. Ky vend
ishte zgjedhur, sa për pozicionin e përshtatshëm, edhe si nyje që lidhte
disa rrethe të kufirit me ato të thellësisë. Pra, kishte qëllime të
paracaktuara, që t’i çorientonte për t’i tërhequr në kurthe të lojës
sonë zbulimet e huaja, pasi shumë nga diversantët që dërgoheshin prej
tyre për veprimtari terroriste kalonin e bënin pushime këtu në thellësi
të vendit ku ndodheshim ne. Ata, pasi të informoheshin mbi ekzistencën
tonë, jo vetëm do të njoftonin padronët e tyre për aktivitetin e
organizatës dhe të këtij grupi të “arratisurish”, por do të merrnin edhe
takime me ta.
Vendi ku ndodheshim, për pozicionin që kishte, e bënte më origjinale
lojën si të arratisur, për të depërtuar në të dyja krahët. Ne të
arratisurit e brendshëm të Korçës, Pogradecit, Skraparit, Gramshit etj,
që në periferi kishin bazat e tyre, ndaj i linim këtu takimet dhe të
atyre që dërgoheshin nga jashtë, të cilët për të njëjtat arsye,
vendoseshin në Grabovë.
Sipas porosisë, takimin e parë do ta bënim me “Buallin”, kulakun Koçi
Bardhi, për shkak të pozitës që zinte tek diversantët që strehonte në
stanin e tij. Për të kishim informacion të saktë. Ai nuk e njihte
“Trokën” fizikisht, por dinte që ishte i arratisur. U nisëm për në
stanin e tij dhe teksa arritëm, “Bualli” u ndodh papritur përpara nesh.
Kur e përshëndetëm, ngriu. Ndryshoi fytyrë e nuk dha përgjigje. U afruam
dhe e ftuam të qetësohej duke i bërë të njohur “Trokën”, e pas tij, të
tjerët me radhë. “Bualli” e mori veten, ngriti zërin e foli: “M’u
zhdukni syve. Asgjë s’më lidh me ju. Ndryshe do të thërras e mbledh
gjithë fshatin”. Përgjegjësi, duke qeshur me zë të lartë, që të dëgjohej
në stan, ku “Bualli” strehonte diversantët, tha: “Përpara se të vinim
pastruam rrugën rreth stanit, ndaj mos u frikëso. Kemi ardhur nga larg
apostafat për të të takuar, të drejtuar nga “Troka” që është miku yt”.
Pas kësaj, urdhëroi njërin nga anëtarët e grupit që të rrinte roje dhe
duke i hedhur dorën në qafë “Buallit” e ftoi të ulet dhe të bisedonte.
Sherif Zekthi, një kriminel, që prezenca e tij ishte e përgatitur nga
ne, pa e ditur ai, (si bazë e “Trokës” dhe lidhje e “Buallit”), kur doli
tek dera e stanit dhe dëgjoi emrin e Ram Hoxhës, u habit kur e pa dhe i
thirri me zë të lartë: “Po nga dole o trim”!
Ata njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Ishin nga një anë. “Zekthi” e
kishte strehuar “Trokën” në shtëpinë e tij. Ndërsa me xhaxhanë e këtij
të fundit, kishin qenë në organizatën e Ballit. Kurse në mbledhjen e
organizuar nga të arratisurit në “Liqenin e Turbullt”, merrnin pjesë të
dy, “Troka” dhe “Zekthi”. Ky, duke iu afruar “Buallit”, i tha: “Ke të
drejtë. Janë kohë të këqija. Nuk i besohet as rrobës veshur. Nuk e
njohe! Ky me mjekër është ka”. Pastaj i shtriu dorën ta takonte. “Troka”
u zbraps, e me zë të ulët i prezantoi përgjegjësin. “Tako me këtë burrë
se është komandanti ynë”. Ndërsa pamja e fytyrës, linte të kuptoje
sikur të thoshte: “Veprova mirë?! ”Mbasi u takuan të dy, u përqafuam të
gjithë.
Kombinacioni në qendër të të cilit u vu “Zekthi”, mes pranisë të diktuar
nga sigurimi, në stanin e “Buallit”, çoi në lidhjen e grupit me këtë të
fundit. Nga vendi i takimit, “Zekthi” mendoi se duhet të kishim ardhur
nga jashtë. Ky ishte dhe qëllimi tij në këto vende, nga ku i ngarkuam
detyrë të shkonte tek “Thundra”, Kaso Bej Guri. Për t’u njohur, i dhamë
parrullën. “Ke dalë për të shitur”! Kjo parrullë, njihej prej tij, se
përdorej nga kriminelët Hamit Matjani dhe Demo Tafani, kur vinin në
Shqipëri. Kohë kur “Troka” ishte me ta.
Në këto netë të errëta të shtatorit 49-të, u ndodha për herë të parë i
veshur bandit, midis kriminelësh terroristë. Për herë të parë, dëgjova
me veshët e mi, planet, veprimet dhe krimet që kishin bërë e kërkonin të
bënin, kundra njerëzve të thjeshtë. Aktivistëve të emancipimit
shoqëror, mësuesve, të rinjve e grave përparimtare. Figurave të
rëndësishme të luftës çlirimtare. Ulërimat dhe të çirrurat e bandave
kriminale, për të “therur njerëzit e pushtetit”, e për t’u “ngopur me
gjakun e tyre”, për t’i “vrarë komunistët”, e për t’i “lidhur e tërhequr
zvarrë” më shponin si thika në trup. Duke jetuar në mes tyre, në
heshtje dëgjoja. Por sa vështirë është të heshtësh kur dëgjon të flasin
për të bërë plane si të vrasin, ata që në të vërtetë t’i mbron.
Në këtë detyrë, kjo ishte më e vështira, por puna kështu kërkonte ndaj
gjithçka shihja dhe dëgjoja, duhej përballuar me qetësi dhe
gjakftohtësi.
Në takim erdhi një nga djemtë e “Buallit”. Pa na folur asnjë fjalë, me
nervozizëm ai i drejtohet të atit: “O babë, mos u merr me njerëz të
tillë”. Pastaj na foli ne: “Na u hiqni qafe. Na lini në hallin tonë. Nuk
kemi asgjë të keqe nga njerëzit që doni të vrisni ju”.
Prej kësaj baze, po në këtë natë, u nisëm e mbërritëm në Grabovën B, tek
“Ketri”. Të pasnesërmen, duke kaluar nga gjoli i Teqes së Dushkut,
nëpër një shi të madh, ecnim në një të tatëpjetë dhe mbërritëm në Kokel
tek S.Hoxha. Nga aty, në Bulçare ku grupi u strehua dhe u furnizua me
ushqime nga kulaku i këtij fshati, një kriminel i vendosur, që ishte i
gatshëm të bënte gjithçka kundra pushtetit. Ai ishte edhe anëtar i një
organizate të quajtur “Onash”, kryesuar nga zbulimet e huaja, përmes
Hamit Matjanit.
Ky udhëtim, në ekstremet e kësaj zone, bëhej me qëllim, që të krijohej
mendimi në lidhjet dhe bazat e bandave të brendshme të diversantëve, se
ky grup që drejtohej nga një organizatë, del dhe jashtë, pasi pikërisht
itenerarin e tyre ndiqnim edhe ne. Midis bazave të shumta, e rëndësishme
në zonën e Gramshit, ishte ajo e “Çakallit” në fshatin Çekin-Muhamed
Bej Guri, e cila nuk ishte vetëm lidhje e bandave të Hamit Matjanit,
Demo Tafanit, Tefik Kokelës, Abaz Ermenjit etj, që vepronin në këtë
zonë, por edhe të atyre nga Skrapari, Pogradeci, Korça etj, që
strehoheshin këtu.
Natën vonë, grupi u afrua shtëpisë së “Çakallit”. U gjykua, që për të
kontaktuar me të, të shkojë “Çekiçi” me “Trokën” dhe “Studenti”, që
njihesh prej tij. Ky i fundit, u afrua portës, trokiti disa herë dhe kur
i përmendi emrin e “Trokës”, i foli edhe vetë të zotit të shtëpisë.
“Çakalli”, jo vetëm nuk e hapi derën, por as pranoi t’i takojë. Në të
kundërt, ai kërcënoi dhe më vonë, foli se do të na denonconte tek
kryetari i këshillit dhe në sigurim. Qëndrimi tij, na detyroi të
zgjedhim rrugën e tërheqjes, si gjoja të frikësuar.
Mbasi vendosëm e qëndruam disa ditë në pyjet afër “Çakallit”, për të
kontrolluar lëvizjet e tij, na informuan se nuk kishte denoncuar.
Kështu, tentuam për së dyti për të hyrë në komunikim me të. Këtë radhë
menduam të vepronim duke i folur me ashpërsi. Për ta bindur, nxorrëm në
ballë “Trokën”, i cili pasi trokiti në derë, i thirri disa herë nga
dritarja. I kërkoi të dilte nga shtëpia. I tha parrullën dhe i foli për
rastet kur së bashku kishin qëndruar e takuar me bandat diversante
njerëz të tyre. Por përsëri, “Çakalli” mbajti të njëjtën qëndrim.
Gjithçka po ndodhte midis “Çekiçit”, “Trokës” e “Studentit” nga njëra
anë, dhe “Çakallit” nga ana tjetër, krijonte për ne një situatë
ndërlikuese. Ngurimi i “Çakallit”, shprehur përmes gjoja mos njohjes së
“Trokës” dhe për më tepër, kërcënimet e tij për të na denoncuar, na
vinin përballë shqetësimesh që ndërlikonin situatën në kuptimin e
dyfishtë. Nga një plan, rrezikoheshim nga dekonspirimi, përmes
denoncimit të mundshëm në sigurim nga “Çakalli”, gjoja në emër të
patriotizmit, duke dëmtuar rëndë kombinacionin. Dhe nga plani tjetër,
duke ditur moskompromentimin e plotë të “Trokës” me ne, i ruheshim
marrëveshjeve mes sinjaleve të fshehta midis tij dhe “Çakallit”, gjë që
mund të shpinte në rrezikimin e jetës sonë.
Po përse “Çakalli”, bazë e vërtetuar e Hamit Matjanit, kunat i
terroristit Tefik Kokela, nuk pranoi të takonte e bisedonte me “Trokën”
dhe miqtë që e shoqëronin, me të cilin kishte qenë në një bandë, të
lidhur me Hamit Matjanin.
Duhej zgjidhur enigma, për të marrë pas kësaj takim me të. Në këto
rrethana, ne vendosëm largimin në thellësi, në një zonë tjetër.
Takimin e parë në rrethin e Elbasanit e bëmë me “Zekthin” nga Belshi,
nën degët e një gorrice. Kishim shumë uri. Ai na pruri dy pula të
pjekura dhe dhallë. Por s’më shkoi gjë në bark. Më dukesh helm; mbasi me
helm e përzieu bisedën ky kriminel.
Takimi u bë me qëllim të caktuar, që veprimet e mëvonshme të na shpinin drejt afrimit e lidhjes me “Çakallin”.
Mbas disa ditësh, në këtë zonë u përgatit një përleshje e fortë, e
sajuar në një grykë që dihej si vende kalimi diversantësh. Duke u lënë
të kuptonin bazave të tyre, se në këtë përpjekje banda jonë vrau ushtarë
e oficerë, pra “morëm hak e derdhëm gjak”. Pa aguar mirë dita, u
shoqërua i përcjellë në vigë, gjoja si i vrarë një oficer. Ky veprim, jo
vetëm që forcoi besimin te bazat që kishim lidhje, por do bindte për
armiqësinë tonë dhe “Çakallin”...
Mbas këtij kombinacioni, grupi u ekspozua në një fshat tjetër, në
shtëpinë e Idriz Kotorrit, në Kotorr që kishte miqësi me “Çakallin”.
Pasi u përshëndetëm prej tij me urimin: “Shyqyr që shpëtuat”, ju
drejtuam Idriz Kotorrit me këto fjalë: “Çakalli” na ka borxh gjakun, për
qëndrimin që ka mbajtur. Ne jemi të bindur se këtë pritë, ku na u
plagos ky luftëtar (një nga shokët e grupit që ishte në rolin e të
arratisurit kishte lidhur me fasho krahun me gjak, gjoja si i plagosur)
është kurdisur prej tij.
Idriz Kotorri u bind dhe shkoi tek “Çakalli” në Çekin, i cili mbasi u
sqarua se nuk ishte lojë e Sigurimit, i dëshpëruar për mundimet që u
kishte sjellë patriotëve, ashtu si i cilësonte ai diversantët, kërkoi të
na priste në takim.
Kjo ishte një anë e suksesit, por ky veprim nuk na bindi që “Çakalli”,
të kishte besim të plotë. Për t’i dhënë të kuptonte atij, se nuk e kemi
aq të nevojshëm takimin me të, mbasi akoma dyshojmë dhe për t’i krijuar
kohë zbatimit të masave të tjera ndaj “Çakallit”, që do shpinin në
forcimin e plotë të bindjeve tek ai, nuk pranuam takim.
Pas një udhëtimi nëpër pyje, pa rënë drita, arritëm në fund të Tervolit,
karshi shkëmbit Kabash, në një pyll plot me lisa. Atë ditë të bukur,
njëri nga ne që bënte roje, na njoftoi: “Në drejtimin tonë vjen një
person. Në njërën dorë mban një sopatë, në tjetrën, diçka që nuk
kuptohet”. Përgjegjësi urdhëroi të zgjidhej “Troka”, i cili siç kemi
shpjeguar, si ditën edhe natën mbahej i lidhur prej mesi nga i njëjti
litar që lidhej “Çekiçi”. Pas kësaj, “Troka” u porosit si të qëndronte e
bisedonte me “Kullën” që afrohej drejt nesh. Kur “Kulla” erdhi e na pa
ditën, me “Trokën” të lirë e të armatosur, forcoi bindjen se ka të bëjë
me bandë diversantësh që drejtohet nga një organizatë dhe këtë do t’ja
transmetonte shokëve të tij kriminelë si ai. “Kulla” ishte thirrur nga
ne, në emër të “Trokës”. Ai strehonte terroristin Hamit Matjani dhe
kriminelë të tjerë që “Troka” i njihte, mbasi në shtëpinë e vëllait në
Dumre, ishte strehuar edhe “Kulla”, i cili i dinte këto dhe gëzonte
simpatinë e “Trokës”.
I shoqëruar nga roja që sinjalizoi, “Kulla” me zë të ulët na
përshëndeti: “U vaftë mbarë puna që keni filluar o vëllezër!
”Përgjegjësi”, “Troka”, “Çekiçi” dhe “Studenti”, i dhanë dorën duke u
përqafuar. Mbas prezantimit që bëri “Troka”, u ulëm të katërt. Të
tjerët, ashtu si ishin të shpërndarë, qëndruan nëpër vende pa lëvizur,
me qëllim për të lënë përshtypjen e banditëve të vërtetë dhe të
siguronin shokët nga të papriturat. Ky veprim nuk ishte i lehtë, pasi
mbarte rrezikun e dekonspirimit nga “Troka”, apo të dëshifrimit nga
“Kulla”. Pasi përgjegjësi informoi “Kullën” për organizatën, qëllimet e
saj etj., në përfundim i tha atij: “Ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që
janë për kryengritjen e armatosur, të arratisur ose jo, jashtë ose
brenda vendit, të bashkohen nën udhëheqjen tonë. ”Kur fliste
përfaqësuesi ynë, “Kulla” shikonte “Trokën” drejt e në sy dhe shpesh
herë, si padashur sytë e tij, përqendroheshin tek pushka që mbante
“Troka”. Ndaj kur përfundoi biseda, ky i fundit ju drejtua “Kullës” me
fjalët: “Mor ‘Kullë’, mos po të pëlqen pushka ime; është belgjik i
shkurtër. Ja kemi rrëmbyer një njeriu të regjimit. Megjithëse e kemi të
ndaluar të japim armën, për ty që je me kokë i yni, nuk thotë gjë
komandanti. Merre dhe gëzoje. Po të na lejonte vendi do ta provonim”.
Për një moment na ngriu gjaku. Megjithëse pushka ishte sabotuar, që dhe
një teknik nuk e kuptonte veprimin që bëri “Troka”, aq sa krijoi tek
“Kulla” bindje mbi ne si të arratisur edhe na shqetësoi, mos në mes
tyre, veprimi krijonte elementë lidhjeje të nëntekstshme që rrezikonte
jetën tonë dhe shkatërronte punën e nisur. Por gjithçka u kthjellua kur
“Kulla” foli: “E bukur qenka o “Trokë”! Organizata që ju përfaqësoni i
ka filluar dhe menduar mirë punët. Unë jam me ju, se për Zotin nuk
durohet më. Veç një porosi kam, duhet ruajtur se ka shumë sy. Për zotin
“Trokë”, nuk luaja vendit po mos të ishte yt nip, i cili me shenjën që
dërgove bëra të besoj, pasi nuk u zë besë as njerëzve të shtëpisë. Sa
tha ke të fala nga ai, që “la shtamën tek burimi i lajthisë”, luajta
vendit e u nisa për këtu, natën. Kam dhe dy llafe. Ju dua të mirën
prandaj jua them. Keni bërë mirë që takimin e keni lënë larg. Megjithëse
kam bërë rrugë të gjatë, nga shkëmbi i Kabashit nëpër Holt e mbi
Kotorr, ndihem i qetë se nuk më pa njeri. Mos besoni barinjtë, fëmijët e
gratë. Ka kohë, më tregonte një shok. Kur ishte plagosur Hamit Matjani,
ishte shëruar tek një mik, andej nga Dumreja. E kishte mbajtur me bukë
pesëmbëdhjetë ditë. As shtëpisë ku merrte bukën nuk ja kishte treguar
dhe se kishin kuptuar, që kafshatën ai e ndante me Hamitin. Por e dini
ku rrinte Matjani që ushqehej nga buka e tij, në një pyll të madh.
Vendqëndrimin e ndërronte. Sot këtu e nesër atje. Kështu duhet ruajtur
që të shpejtojmë e fitojmë”.
Mori dy napolona flori dhe u largua i bindur se nuk e dinim dhe kuptuam
se personi që i shpinte bukën terroristit Hamit Matjani ishte vetë ky.
Takimi ja arriti qëllimit. Ai u bind për ç’ka pa dhe u bisedua. Të
gjitha do t’ja transmetonte Hamitit e bazave të tij, si dhe të
arratisurve të tjerë. Tani për të, ne ishim besnikë të idealeve të tyre,
gjë që u bë e mundur përmes nipit të “Trokës”, i cili duke ditur se i
shërbente qëllimeve të dajës së tij, na vinte në lidhje ne, me ato baza
që kishim interes, ku njihej e ishte i besuar si nip i “Trokës”.
Përsa i përket dhënies së napolonave flori, nuk e praktikuam më. Me
ndërhyrje të qendrës, kjo formë u kritikua dhe nuk u zbatua, pasi nxiste
aktet armiqësore të elementit kriminal e terrorist. Nuk kaluan shumë
ditë dhe “Çakalli” u paraqit në takim. Në këtë mënyrë grupi vazhdoi të
mbante lidhje të rregullta dhe me këtë kriminel dinak. Mbas disa
takimeve, kur krijoi bindje dhe besim, përpara se grupi do largohej nga
ajo zonë, “Çakalli” që e hiqte veten të lidhur me pushtetin e që na kish
kërcënuar se do na denonconte në Sigurim, na dorëzoi kunatin e vëllait,
Novruz Dusharin nga Dushari i Korçës, që ishte arratisur me kohë nga
ushtria dhe qëndronte i fshehur në shtëpinë e “Çakallit”.
Për të bërë të mundur tërheqjen nga shtëpia e “Çakallit”, të Novruz
Dusharit dhe arrestimin e këtij të arratisuri, nga ana jonë ju tha atij,
se kemi urdhër që nuk mund të mbajmë në grupe të arratisur që veprojnë
në zona ku i njohin, pasi kështu nuk ruhet sekreti, ndaj do ta dërgojmë
në zona të tjera.
Disa ditë Novruz Dushari qëndroi me ne. Natyrisht kjo na rrezikonte,
pasi ishte e vështirë dhe cënonte ruajtjen nga dekonspirimi dhe nuk
shmangte komunikimin mes njëri-tjetrit, të personit në fjalë me
“Çakallin”. Por dhe mbajtja e Novruzit në grup, ishte e nevojshme, sepse
nëpërmjet tij, forcohej besimi për në bazat ku shkonim që diheshin e
njiheshin që strehonin diversantë, pasi nga prezenca dhe qëndrimi i tij,
rritej më shumë besueshmëria.
Përpara largimit, sipas kërkesës së Novruzit, shkuam tek “Çakalli”. Atë
natë, për nderin e tij dhe tonin, me kërkesën e vazhdueshme të zotit të
shtëpisë, u shtrua një darkë, nën degët e një peme, në një natë pa hënë.
Kur e mori fjalën Novruzi, i cili tashmë kishte qëndruar me ne
pesë-gjashtë ditë, foli me shpirt për sakrificat dhe besnikërinë që pa
te grupi, për të arritur atë që kërkon atdheu. Foli dhe për organizatën,
e premtoi se atje ku do shkonte, do të punonte e do të qëndronte
besnik. Kur po mbaronim bukën, e mori fjalën “Çakalli” dhe bisedën e
pruri përsëri tek “Dhelpra” që punonte në atë rreth, si dhe tek
“Bullari”, për të cilin na kishte folur edhe më parë. Të dy këta, kishin
dëshirë të takoheshin e bisedonin me ne, pasi sipas “Çakallit”, dinin
luftën dhe idetë tona për çlirimin e atdheut. Ne u përgjigjëm
propozuesit se nuk e njihnim “Dhelprën”, qëndrimin dhe karakterin e saj.
Prandaj nuk mund të pranojmë takime. Ndërsa për “Bullarin”, si anëtar i
Byrosë dhe përgjegjës i rinisë në rreth, ju tha, se njerëz të tillë, të
lidhur me komunizmin, në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë t’i takojmë.
Në të kundërt, ne ishim të bindur për pozitat e të dy personave të
lartpërmendur, por qëllimisht vepruam kështu, pasi “Dhelpra”, duke qenë
agjente aktive e një zbulimi, paraqiste për ne interes me mënyrën si do
reagonte ndaj këtij refuzimi. Pra, si do të vepronte për të na bindur me
besnikërinë e saj, ndaj idealeve tona dhe a do tregonte se ishte
dërguar pranë nesh në emër të zbulimit që i shërbente.
Kurse për “Bullarin”, vepruam kështu se donim ta largonim nga rruga e
krimit. Por ai, si lidhje e afërt me diversantin Tefik Kokeli dhe
“Çakallin”, i venë plotësisht në shërbim të tyre, nuk u largua nga kjo
rrugë deri në ditën kur u arrestuan të dy.
Kur u ndamë nga “Çakalli” dhe kunata e tij, edhe njëherë i porositëm të
ruajnë sekretin. Për Novruzin që e morëm me vete, u thamë të mos bëhen
merak.
Të pasnesërmen e asaj nate, Novruzi u caktua me qëllim nga ne, që të
bënte roje, për arsye të shmangies nga grupi, për të krijuar kushte, për
t’u kapur e lidhur nga “Çekiçi” e “Studenti”. Pas kësaj, u shoqërua jo
siç e dinte ai, në vendin e takimit me krerë të organizatave të tjera,
por në burg. Mbas ca ditësh, “Çakalli” mori një letër nga Novruzi, që me
porosi të Sigurimit, i shkruante nga burgu se ishte mirë dhe bashkë me
shokët punonte për detyrën e ngarkuar.
Kisha muaj i larguar. Nga shtëpia nuk dija si i kisha dhe isha në merak,
sidomos për gruan që ishte shtatzënë. Nuk dija a kishte lindur. Mendoja
prindërit e saj, të cilët bashkëjetonin me të. Ndaj tyre isha i
ndjeshëm. Më zëvendësonin prindërit. Mbas rënies dëshmorë në Luftën
Antifashiste Nacional Çlirimtare të djemve, mbetën me vajzën, gruan
time. Dhe ja, për hir të detyrave speciale që kryeja, ishin bërë pjesë e
një lufte tjetër. Jo më pak shqetësim kisha për djalin. Ishte i vogël.
Donte ngrohtësi prindërore. Me shqetësimin e preokupacionin për ta,
jetoja çdo ditë. Por detyra kërkonte sakrificë. Isha i ndërgjegjshëm për
këtë, ndaj se kurseja veten.
rikthehemi në Kotorr.
Këtë radhë shkuam në shtëpin e Sh.Kotorrit, strehuesit të Hamit
Matjanit, D.Tafanit dhe të arratisurve të tjerë. Sa hymë në koçekun e
misrit që na tregoi i zoti, për të mos u lagur nga shiu, shoqëruar me
erë e shkreptimë, na dukej se furtuna bashkë me kasollen, do të na
ngrinte edhe ne për të na flakur poshtë në lumin e Holtës.
Ora duhet të ishte mbi njëzet e tre. Ne kishim zënë vende, kur befi me
një thes në kokë, për të mos u lagur, i zoti i shtëpisë. Me zë të mekur
na tha: “Një miku juaj u dërgon një letër. Urdhëroni, e kam në dhomë.
Shiheni se pret përgjigje”. Pasi morëm letrën, si me shqetësim, u
drejtuam atij me fjalët: “Keni gabuar! Pse keni treguar ku ndodhemi pa
marrë pëlqimin tonë”. Pas kësaj e lexuam letrën. Ajo dërgohej nga
kapobanda e Hamit Matjani, mes të cilës kërkonte takim. Për vendin ku do
realizohej, do na shoqëronte korrieri që pruri letrën.
Kishim pritur me padurim përballjen me këtë gjakpirës, ndaj lajmi na
gëzoi pa masë. Meqë grupit nuk i lejohej të takonte me bandat, pa
autorizim nga qendra, këtë gjë s’mund ta bënim.
Të nesërmen e kësaj nate, ora po i afrohej dyshit dhe për t’u zbardhur
dita s’kishte shumë. Korrieri priste përgjigje, por as ne nuk ndiheshim
mirë. Duhej larguar nga kjo bazë e dekonspiruar nga korrieri. Ne ishim
nga nevoja aty, ndaj nuk hynim brenda, por as dita nuk duhej të na zinte
këtu. Çast i vështirë.
Përgjigjja erdhi. “Mos e takoni”. Pas korrierit u nisëm edhe ne, për të
kaluar ditën në fshehtësi. Bashkë me të, arritëm në pyllin e madh të
Gjergjevicës, të veshur plot me shkurre, ferra e driza. Duke kaluar për
në thellësi mes tyre, veçsa ishim bërë ujë, u çorrëm. Zumë vend pranë
një lisi të madh. Diku rrotull ishte edhe Hamit Matjani me bandën e tij.
Të gjithë ishim të lodhur e të mërzitur. Duke mos folur, secili
rregullonte në heshtje vendin e tij; përjashtim bënte roja. Të gjithë e
kuptonim këtë gjendje. Shkaku i dëshpërimit ishte urrejtja ndaj
terroristit bandit, me të cilin nuk na lanë të mbaronim punë e ta vinim
në çark gjakpirësin që s’kish lënë krim pa bërë.
Kishim muaj që ecnim natën, rrugë e pa rrugë. Shumë herë të pagjumë si
jeta në pyll. Fytyrat tona të parruara nga të ftohtit, kishin marrë
pamje të egërsuar. “Miqtë” që takonim në këto pyje po shtoheshin dhe kjo
nuk na pëlqente. Me ata më të vendosurit që na interesonin, kishim
marrë kontakte. Tashmë gëzonin besim tek ne dhe “Fronti i Rezistencës”.
Për t’i vënë nën kontroll e displinë të ashtuquajturës organizatë dhe
për të zbuluar në çdo kohë e më thellë aktivitetin kriminal të tyre,
nëpërmjet pjestarëve të bandave, ishin organizuar lidhje individuale të
rregullta në formë treshe me një përgjegjës që mbante në lidhje dy
persona. Ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, vetëm përgjegjësin. Mbledhja e
tyre ishte e ndaluar. Çdo udhëzim jepej individualisht, kështu merrej
dhe informacioni. Ky organizim bëhej për një zonë, ose rreth dhe quhej
sektor. Përgjegjësi i sektorit mbante lidhje me qendrën. Kjo detyrë për
gjithë këtë zonë ku vepronte grupi i ishte ngarkuar “Çakallit”, i cili
kërkoi nga ne aprovimin për marrjen në lidhje të “Pazarit të Vlorës”.
Grupi, duke pasur parasysh aftësitë e tij dhe interesin si lidhje e Abaz
Ermenjit, e aprovoi. Në fakt ndodhi ndryshe, “Pazari i Vlorës” denoncoi
në Sigurim dhe ky urgjent me radio njoftoi grupin të largohej nga
vendi. Nga ana tjetër, dërgoi forca në ndjekje të bandës ku ishte
diktuar “grupi i të arratisurve”.
Informacionet e shërbimit të fshehtë shqiptar për ardhjen e një grupi diversantësh.
Këto masa ne i shfrytëzuam si pretekst për të forcuar më tepër pozitën
tonë. Megjithëse lidhjet ishin organizuar, ne nuk u larguam nga vendi pa
marrë kontakte me një pjesë nga elementët më kryesor kriminal. Takimi
me ta u krye në kushte tepër të vështira, por ishte i domosdoshëm. Mes
tyre forconim pozitën tonë tek lidhjet edhe pas ikjes se grupit, kështu
arrihej të mbahej në kontroll veprimtaria e tyre.
Para largimit u mor takim me “Çakallin”, të cilit ju dha detyra: “Sipas
parrullës dhe mënyrës së paracaktuar të kontakteve, të njoftohet qendra
në Tiranë për çdo veprimtari të bandave të brendshme diversioniste dhe
të individëve të arratisur brenda vendit apo jashtë tij. Pa aprovimin e
qendrës, të mos merren takime prej anëtarëve të organizatës “Fronti i
Rezistencës”, me të arratisur të brendshëm e të jashtëm. Të mos kryente
asnjë detyrë pa miratimin e organizatës”.
Në fund u caktua mënyra dhe rrugët e lidhjes, për të dyja palët. Pra, si
do lidhej “Çakalli” kur duhej të takonte organizatën dhe si do
kontaktonte kjo, kur i nevoitej “Çakalli”.
Shumë kohë, ai e kreu këtë detyrë duke informuar për gjithçka Frontin e
Rezistencës. Vinte vetë në Tiranë, ose dërgonte korrier për të
raportuar. Duke ditur se informonte “Frontin e Rezistencës”, në të
vërtetë sinjalizonte Sigurimin e Shtetit.
Nga një tjetër kanal, të cilin Sigurimi mendoi të mos e dekonspironte
dhe që kishte mbi një vit i hapur, u informuam mbi dërgimin në Shqipëri
prej një zbulimi të huaj të një bande terroristësh. Për ta ruajtur
kanalin “B” morëm kontakt me “Çakallin”, beun nga Çekini i Gramshit,
Muhamed Gurin, prej nga mësuam se: “Një bandë e përbërë prej katër
vetësh, dërguar nga zbulimi anglez ndodhej në Dushar. Prej tyre njihet
vetëm Mustafa Dushari që e drejton atë; të gjithë mbajnë pseudonime.
Banda qëndron te “Driza” në Dushar dhe furnizimi bëhet prej tij”.
Sipas thënieve të “Dri-zës”, bandës nuk i funksionon gjeneratori i
radios, për këtë arsye i kanë ndërprerë lidhjet me qendrën e tyre. Kjo
mund të jetë dhe arsyeja që kanë dërguar “Drizën” tek “Çakalli” për t’u
lidhur me “Frontin e Rezistencës” që t’i rregulloj radion e t’i vërë në
lidhje me padronët që i kanë dërguar.
Mbi këtë informacion u bënë analiza detajuese nga u dol me masat që
duhet të merrte grupi për lidhjen dhe futjen nën kontrollin e tij, të
bandës së mësipërme. Për të realizuar detyrat e marra, u nisëm me
objektivin: Lidhja të bëhet nëpërmjet “Drizës”, sipas parrullës së lënë.
Nëse banda nuk pranon, të mos lihet takim tjetër. Nëse nuk vihet në
dispozicion të grupit, të asgjësohet. Të kihet kujdes e të ruhet
sekreti. Asgjësimi të bëhet i kamufluar.
Për fitoren mbi bandat diversioniste që dërgoheshin nga zbulimet e huaja
me qëllime terroriste, kishte rëndësi maskimi. Pra, paraqitja mes
veshjes dhe përshtatjes me jetën e banditit, në funksion të plotësimit
të elementëve që impononin kundërshtarin të besonte idenë e bërjes së
jetës në arrati. Kontigjenti që përballeshim përmes lojës e
kombinacioneve tona agjenturore, ishte instruktuar e përgatitur në kurse
speciale nga kuadro që edukonin e impulsonin reflekse dhe reagime sa
fizike dhe psiko-logjike, për të nuhatur e vlerësuar çdo veprim të
personave që kontaktonin e bisedonin. Kjo impononte t’i kushtonim kujdes
llojit dhe mënyrës së të veshurit, sjellurit, qëndrimit deri dhe të
mbajtjes së armës në plotësim të figurës së banditit, për të arritur
qëllimin e vërtetë të lojës. Ishin këto arsyet që diktonin të ndiheshim
të angazhuar në prag të takimit me bandën “Mavija”.
Ishim gati e që të gjithë të maskuar, të veshur e mbathur si bandit. Qoftë dhe një i afërm, zor se mund të na njihte.
“Çipini” urdhëroi nisjen e grupit. Porositi të fiken dritat, për të mos
rënë në sy dhe kërkoi hipjen e shpejtë në makinë, pa zhurmë. Do niseshim
drejt vendit të caktuar. Kur shoferi hapi derën dhe me vështrime të
kujdesshëm bëri shikimin e secilit, ngadalë foli: “Keni hipur të gjithë o
divat e “Qemalit”. “Studenti”, që vështirë t’ia kuptojë humorin, e
tërhoqi nga vetja dhe fshehtasi, por me zë lartë, ngacmoi: “Çekiçit” i
mungon “Troka”. Qeshëm të gjithë. Dera u mbyll e makina u nis. Sa dolëm
jashtë portës së shtëpisë ku ndodheshim e ku bënim maskimin dhe
përgatiteshim për shërbime speciale, ja morëm këngës.
Nga do shkojmë o Tafilo,
Tafilo, o Tafil Buzi....
Kjo këngë kishte historinë e saj që e njihnin shokët e grupit. Sa herë
niseshim për t’u përleshur me kriminel terroristë, banditë diversionist,
ja merrnim kësaj kënge. Ishte kënga “e shansit”. Më tepër këndonte
Haxhi Shurdhi, që përveç tiranses, ja merrte edhe labçe. Kështu shtymë
rrugën nga Tirana në Korçë. Në hyrje të qytetit, makina me shenjën e
kryqit të kuq, ngadalësoi ecjen.
Oficeri i rojes së degës së Punëve të Brendshme Korçë, ishte porositur
që makinën me targa x, ta lejonte të hynte brenda me gjithë personat
“emigrantë grekë” që kishte në të. Ndaj sa u prezantua shoferi, polici
hapi portën. Megjithëse kureshtja kritikohet, në veçanti në punët e
fshehta, kishte policë, ushtarë e oficerë, të ndodhur brenda territorit,
që na shihnin me habi e pyesnin njëri-tjetrin, kush ishin e kë
përfajësonin të ardhurit rishtazi. Pamja jonë, domosdo tërhiqte
vëmendjen dhe kuriozitetin e tyre, por vetë sqaronin: “Janë emigrantë
grekë”.
Mbasi zumë vende në një dhomë, Rexhep Kolli “Dajti”, që kishte ardhur
nga ministria para nesh, për t’u njohur me veprimet tona dhe kordinuar
punën me drejtuesin e degës së Brendshme Korçë, mori “Çipinin”, Asim
Aliko, e “Çekiçin”, Hekuran Pobrati, dhe bashkë u nisën për te kryetari i
degës Bilo Bregu. Dera u hap. Duke uruar mirëseardhjen, ai e mbylli atë
me shpejtësi dhe siç ishte në këmbë, na shikoi me vërejtje secilin në
sy. Sa mirë jeni maskuar e përshtatur legjendës. Edhe unë, shoku juaj,
me vështirësi iu dallova. Na përqafoi, na ftoi të uleshim për rreth
tavolinës. “Për misionin tuaj, foli ai, jam vënë në dijeni nga ministria
dhe kam porosi të bisedoj me hollësi, në vartësi me të dhënat tona, për
të konkluduar me saktësi për ndihmën që duhet t’u japim në veprimet që
do të kryeni në rrethin tonë”...
Grupi special i Sigurimit të Shtetit bën koordinimin e veprimeve dhe
niset për të marrë takim me diversantët e ardhur nga Malta, të dërguar
nga anglezët ...
...Mbasi zumë vende në një dhomë, Rexhep Kolli “Dajti”, që kishte ardhur
nga ministria para nesh, për t’u njohur me veprimet tona dhe kordinuar
punën me drejtuesin e degës së Brendshme Korçë, mori “Çipinin”, Asim
Aliko, e “Çekiçin”, Hekuran Pobrati, dhe bashkë u nisën për te kryetari i
degës Bilo Bregu. Dera u hap. Duke uruar mirëseardhjen, ai e mbylli atë
me shpejtësi dhe siç ishte në këmbë, na shikoi me vërejtje secilin në
sy. Sa mirë jeni maskuar e përshtatur legjendës. Edhe unë, shoku juaj,
me vështirësi iu dallova. Na përqafoi, na ftoi të uleshim për rreth
tavolinës. “Për misionin tuaj, foli ai, jam vënë në dijeni nga ministria
dhe kam porosi të bisedoj me hollësi, në vartësi me të dhënat tona, për
të konkluduar me saktësi për ndihmën që duhet t’u japim në veprimet që
do të kryeni në rrethin tonë”.
Në përfundim, kërkoi të paraqitej në zyrën e tij M.C.- Miti Çomo, që
ndiqte e mbulonte punën kundër bandave e diversantëve. Kur ai erdhi,
bëri prezantimin sipas pseudonimeve që mbanim, duke i thënë: “Ç’farë
sheh dhe do dëgjosh është pjesë e misioneve speciale dhe kombinacioneve
agjenturore me rëndësi që realizohen kundra bandave diversioniste. Pra
kanë ardhur të marrin kontakt me një bandë të tillë”.
M.Ç shtangu e mbeti në këmbë. Hidhte vështrimin sa tek “Çipini” tek
“Çekiçi”. Nuk dinte me kë kishte të bënte. Shikonte me habi. U ul dhe
dëgjonte me vëmendje.
Më pas e mori fjalën “Çipini”, i cili qetësisht shpjegoi: “Driza” një
person nga Dushari i këtij rrethi, ka mundur të mësojë, se një bandë
diversantësh që ai nuk shpjegon se ku ndodhet, kërkon takime me
përfaqësues të “Frontit të Rezistencës” dhe si të tillë do të
prezantohemi ne”.
“Çakalli”, Muhamed Bej Guri, që di sa më sipër, nga “Driza”, vjehrri i
tij, na ka informuar ne, duke ditur se komunikon me Frontin e
Rezistencës. Ai gjykon që takimin me bandën ta realizonim, pas takimit
me “Drizën”. Kjo bëhet e domosdoshme, sa për të sqaruar më tej rrethanat
mbi bandën edhe për të shmangur e ruajtur çdo veprim të saj kundra
nesh.
Kështu u thirr në takim “Driza”, tek shtëpia e mikut të tij “Çakalli”.
Ai nuk na shpjegoi se ku ndodhet banda, as na tha kush janë pjestarët e
saj, veç ekspozoi se përbëhet nga katër veta dhe është dërguar nga
zbulimi anglez. Banda ka ardhur nga Malta, duke u përcjellë për në
Shqipëri nga një oficer dhe mban lidhje me bandën e Hamit Matjanit e
Tefik Kokelës.
Nga takimi e biseda me “Drizën”, vumë re se banda nuk ka besim të plotë
në ekzistencën e organizatës Fronti i Rezistencës, në elementin e saj
dhe në grupin tonë. Për të ruajtur lëkurën, ajo nuk i jep “Drizës” të
dhëna që e venë në rrezik, ose vetë “Driza” mban rezerva”.
Për ne është e qartë, banda ndodhet këtu, në zonën pranë rrethit të
Korçës dhe “Driza” me të mban lidhje. Këto dyshime e të tjera, duhet të
na përgatisin mirë për takimin me të. Për të zbuluar çdo të papritur dhe
për të shmangur çdo veprim të saj brenda nesh.
Takimi me “Drizën” është lënë me sinjale; në dritaren e parë në Jug, në
pjesën që nuk ka xham, por teneqe, duke trokitur tre herë. Kur “Driza”
që fle në atë dhomë, do përgjigjet, t’i jepet parrulla: “Më ka humbur
kali. Mos ta zuri syri në livadhin tënd”.
Grupi ynë që do takohet me bandën është më i madh në numër, për të qenë i
sigurtë likujdimi i saj. Por, mund të ndodhë që të jetë dhe me forca të
barabarta me bandën. Me të kontakti do merret natën dhe veprimi do
kryhet brenda saj. Në qoftë se nuk pranojnë kushtet tona, do të bëhet
likujdimi atë çast. Dita paraqet rrezikun e dëshifrimit. Kjo, jo vetëm
bën të pamundur likujdimin e diversantëve, por vë në rrezik jetën tonë.
Siç e shikoni, veprimi është delikat. Kërkohet vigjilencë, kujdes,
shkathtësi dhe gatishmëri e përsosur. Nga ju na duhet një punëtor
operativ, njohës i zonës e i fshatit Dushar e të di shtëpinë e “Drizës”;
në veçanti lidhjet e bandave diversioniste”.
Kryetari hapi kasafortën, nxorri një dosje dhe prej saj, një letër të
shkruar me dorë që duke e treguar tha: “Para disa muajsh ka rënë në
duart tona kjo letër që i drejtohet Asim Lleshit nga Dushari, i cili ka
djalin prej kohësh në arrati. Letra i dërgohet nëpërmjet një personi me
pseudonimin “Vetëtima” dhe firmoset me emrin “Lisi” që duhet të jetë
pseudonim. Dëgjoni çfarë i shkruan: ”Mos kini merak, ndodhemi në duar të
sigurta. Bëj pjesë në një organizatë me emrin “Fronti i Rezistencës” që
shtrihet në disa rrethe dhe bën një luftë të vendosur kundra pushtetit.
Unë jam me punë përgjegjës për një zonë...Jam me shëndet mirë. Po të
keni merak dhe nevojë, lidhemi me letra nëpërmjet mikut që më dorëzuat.
Përqafime “Lisi”.
Për djalin e Asim Lleshit, i arratisur (si e dinte kryetari), kemi të
dhëna se ku strehohet. Për të, ka dijeni kunati i tij nga Çekini i
Gramshit. Kohët e fundit, Asimi ka bërë lëvizje të shpeshta. Është parë
në Korçë, Kolonjë dhe Gramsh, tek dhëndërri në Çekin, ku ka dhënë
vajzën. Të shumta janë lidhjet e tij me Sulo Abazin, me të cilin është
nga i njëjti fshat dhe gjatë luftës ka mbajtur qëndrim të mirë. Për disa
vjet ishte kryetari i Këshillit të fshatit. Më vonë, për disa gabime
nuk u zgjodh. Kjo e ka bërë të pakënaqur. Nga Dushari, ndodhet i
arratisur Mustafa Sula, i cili përgatitet në një kurs spiunazhi për t’u
dërguar si diversant në Shqipëri. Është dinak dhe i shkathët. Lidhjet e
tij të afërta, kohët e fundit kanë ndryshuar qëndrim. Çuditërisht
punojnë dhe mbajnë qëndrim të drejtë ndaj shtetit. E dyshimtë është
dalja natën e Sulo Abazit, njëri nga pjestarët e familjes së të
arratisurit Mustafa Sula.
Mbi këto të dhëna, shton kryetari, arrijmë në konkluzionin: “Se banda,
ku ndodhet edhe i arratisuri Mustafa Sula, ka mundësi të jetë në Dushar
dhe të strehohet tek Sulo Abazi. Nëse nuk ndodhet në fshat, veç Asim
Lleshit, ka dijeni edhe Sulo Abazi”.
Unë e Asim Aliko shikuam njëri-tjetrin në sy, por ndërhyri Rexhep Kolli
dhe sqaroi situatën e servirur Bilos: “Nëpërmjet Frontit të Rezistencës,
përmes kunatit në Çekin të Gramshit, u tërhoq i arratisuri Novruz
Lleshi dhe letra që u ka rënë në dorë është e tij, por e diktuar nga
Sigurimi. “Lisi”, që është pseudonim, nuk ndodhet ku shkruan, por në
burg dhe mbahet sekret. Me këtë veprim, kemi hapur dy kanale të lidhur
me njëri-tjetrin, i Gramshit me Dusharin.
Armiqtë e lidhjet e të arratisurve, duke e ditur se punonin për Frontin e
Rezistencës, fijet e së cilës ja kishim prerë, nuk lidheshin me të, po
me organet e Sigurimit. Nga këto veprime, u arrit që i jati i Novruzit,
“Driza”, nëpërmjet dhëndërrit nga Çekini, duke dashur të njoftonte
organizatën, njoftoi Sigurimin. Korrieri i të quajturës organizatë i
Frontit të Rezistencës, ishte punëtori operativ i Sigurimit. Sipas
njoftimit, bëri takimin me “Drizën” në Çekin, në shtëpinë e dhëndërrit.
Nëpërmjet tij, u qartësuan edhe njëherë të dhënat e mësipërme.
“Besoj shoku kryetar, e keni të qartë. Të dhënat tuaja përputhen me
veprimet tona. Siç vepruam me Novruz Lleshin, nëpërmjet kunatit të tij
“Çakalli”, që sot njihet si anëtar i sektorit të Gramshit, do të
veprojmë edhe mbi këtë bandë diversantësh. Ky është synimi ynë,
përfundoi “Dajti”.
Kryetari dëgjonte me vëmendje. Sa u ul “Dajti”, u çua në këmbë dhe u
drejtua nga ne. “Ju falenderoj për ekspozën, tha ai, dhe ju uroj suksese
në veprimet e mëtejshme”.
Porta u hap. Makina doli jashtë qytetit dhe mori rrugën drejt Dusharit.
Shoferi sinjalizoi se po i afroheshim vendit dhe ngadalësoi ecjen. Kur
kaloi një kthesë, ndaloi në një grykë. Ai kishte përvojë. Dinte të
maskonte qëllimin e udhëtimit për të ruajtur sekretin. Doli jashtë, i
vuri një gurë rrotës për ta fiksuar, hapi kapakun e motorrit, hodhi
rrotën tjetër rezervë për tokë, pastaj hapi derën, e uroi, “u pafshim si
gjithmonë fitimtarë”. Këtu u ndamë edhe me “Dajtin”, i cili do të na
qëndronte afër për të bërë koordinimin midis grupit, degës së Korçës dhe
Ministrisë. Ndaj porositi edhe njëherë M.Ç të siguronte informacion të
shpejtë për çdo veprim.
Natë e errët. Kohë e vrenjtur. Kishin kaluar orët e kishte rënë qetësia,
por duhej zgjedhur rruga me kujdes. Përpara ecte M.Ç, mes një pylli me
lisa të rrallë. Koha sa vinte e keqësohej. Vendi për ne ishte i
panjohur, por duhej shpejtuar pa zhurmë për të arritur ku ishte vendosur
të bëhej qëndrimi i ditës, në Dushar, mbi shtëpinë e Sulo Abazit e
“Drizës”, ku kullosnin bagëtia.
Mbas disa orë udhëtimi, ju afruam vendit që pa gdhirë. Duke u ngjitur
nëpër shkëmbinjtë përmes një pylli me shkurre, shkozë e aishte, arritëm e
zumë vend në një guvë, përfund një shkëmbi. Pa u sistemuar mirë, zuri
një shi i madh që erdhi si vinë shirat në këtë muaj. Shtrëngatë me
bubullima, mjergull e shkreptima që vazhdoi deri pasdite.
Data shënonte 2 qershor 1950. Por në vende të larta bën ftohtë dhe ne
mbanim mbi shpinë, të ftohtin e natës dhe lagështinë e shiut. Keq e
kishim të gjithë, sepse nuk mund të ndiznim zjarre, për arsye se
diktoheshim nga tymi. Më keq e kishte roja që vrojtonte në të çarën e
një shkëmbi. Këtë detyrë e bënte M.Ç, se njihte personat që lëviznin,
për të cilët kishim interes.
Mbas një çlodhje të shkurtër, ngritëm njëri-tjetrin dhe u grumbulluam
tek “Çipini”. Ai informoi për konkluzionet që arritën në mbledhjen e
përbashkët në varësi edhe me të dhënat e degës së Korçës. Megjithëse
plani nuk pësoi ndryshime, ai përsëriti variantet e veprimit, për të
arritur suksesin. Për të gjithë ishte takimi i parë me banda
diversantësh, që dërgoheshin nga jashtë, prandaj secili mendonte ta
kryente mirë detyrën.
Në perëndim të diellit, po na afrohej një tufë dhish që zbriste nga
mali, pas tyre bariu, djalë 17-vjeçar. Kur u informuam prej M.Ç, se
ishte nga pjestarët e familjeve që kishim interes, lëvizëm nga vendi,
për t’i lënë të kuptonte se i ruhemi, “pasi jemi në udhëtim”.
Qëllimit të ardhjes në këtë vend u arrit. Ne ishim të bindur se bariu do
të njoftonte Sulon dhe “Drizën”, se pa një bandë që vinte nga rrugë të
largëta, prej pyllit të Baftjesë dhe qafës së Gjarprit, andej nga e
prisnin ata ardhjen. Kur u err mirë dhe u bindëm se s’kishte lëvizje në
fshat, u nisëm drejt takimit me bandën “Mavija”.
Ecnim me kujdes, për të mos u ekspozuar. Ju afruam shtëpisë. Grupi u
vendos mbi rrugë, buzë një kodre me shkurre. ”Çipini” urdhëroi “Çekiçin”
e Haxhiun për të marrë lidhje me “Drizën”, dhe M.Ç që të na tregonte
shtëpinë e të largohet për të mos rënë në sy, se mund ta njihnin. I
afrohemi shtëpisë, qëndrojmë tek dritarja e caktuar dhe japim
parrullën.... Dera hapet, sikur “Driza” të ishte gati, nga dolën njëri
pas tjetrit dy vetë, i pari, pas një vrojtimi me sekonda i drejtohet me
shpejtësi “Çekiçit”, me mallëngjim e dashuri. I zgjat krahët ta
përqafojë, duke i thënë: “Sa të kam pritur; më ka marrë malli; më ka
lodhur dashuria”. Ja hodhi duart dhe filloi ta shtrëngonte. “Çekiçi”, që
e kuptoi se ishte gruaja e Novruzit, u tërhoq dhe i tha: “Jam unë moj
motër, mos u bëj merak. Novruzi është mirë, është i zënë me punë e nuk
erdhi dot”. Ajo u turpërua, uli kokën e u largua. “Driza” që ishte pas
saj, që dëgjoi e i pa të gjitha, me nervozizëm foli: “Pse se lanë. Na ka
marrë malli”. Aty ndërhyri Haxhiu duke i hedhur duart në qafë, e i tha:
“Ju lutem zoti “Driza”, uleni zërin se do diktohemi dhe më keq është
për ju...” I futi krahun dhe vazhdoi: “Këtu na pret “Çipini” me shokët”.
“Çekiçi” u mënjanua pak dhe i bëri “Drizës” prezantimin e “Çipinit” dhe
“Studentit” që i ishin afruar shtëpisë. Duke pritur, ata i kishin
dëgjuar të gjitha fjalët. U përshëndetën e u përqafuan ...
- Lista e të ekzekutuarve nga Hamit Matjani
Thoma Prifti
Abdulla Sinani
Shahin Himçi
Ismail Alushani
Sabri Sinani
Lazër Dollani
Cane Gonaj
Sali Zajmi
Ali Starja
Vangjel Riska
Servet Hoxha
Keko Rasipi
Hysen Kumanova
Lush Lemati
Xhemal Bregu
Maliq Miraka
Riza Sheza
Haziz Hoxha
Maliq Iliazi
U takuam në një vend, i zgjedhur për takime, që kishte për qëllim të mos
i ekspozoheshin “Drizës” të gjitha forcat e grupit. U ulëm të katërt,
“Çipini” bëri prezantimin. U përshëndetëm dhe u përqafuam dhe njëherë.
Pas kësaj, fjalën e mori “Çipini”: “Ja, mbas një udhëtimi të gjatë e të
vështirë natën, rrugë e pa rrugë, erdhëm”. Pasi e pyeti për gjendjen e
tij dhe të familjes, vazhdoi: “Jeni bërë merak për Novruzin, megjithëse
kemi mbi një muaj që jemi takuar, dimë se është mirë me shëndet. Zoti
“Driza”, detyra jonë është të punojmë për t’u përgatitur që të luftojmë,
për të fituar mbi komunistët. Që të bëjmë këtë, duhet të ruhemi.
Novruzi nuk erdhi se ishte i zënë me punë e nuk e lanë. Nëse do vinte me
ne, po të ndodhte të diktoheshim, ku u puthëm e u përqafuam, mund të
goditeshim nga grykat e pushkëve të komunistëve. Kështu nuk do takoje as
Novruzin dhe as ne. Po dhe punët e filluara nuk do vinin deri këtu. Në
qoftë se kjo do ndodhte, me siguri do dëmtoheshit familjarisht, për këto
arsye, shokët nuk ishin dakort që Novruzi të vinte në vendin e tij, se
njihet. Ai do jetë herë tjetër, vetëm për t’u çmallur me ju”.
Në përfundim, “Driza” i dha të drejtë “Çipinit”. Por çfarë e shtynte të
mbante qëndrime ndaj nesh?! Në Çekin, nuk ju premtua ardhja e të birit,
ai vetëm pyeti për të. Është dashuria e babës për birin, apo banda
diversante me të cilën do merrnim lidhje, e shtyrë për të qenë e sigurtë
e për të zbërthyer dyshimet ndaj nesh, insiston ta kërkojë e takojë
Novruzin?!
Mbasi “Driza” u pyet për shëndetin e banditëve, u porosit të shkonte t’i
merrte për të bërë takimin, sipas kërkesës së tyre pa humbur kohë, duke
iu lutur, me që ishim pa ngrënë, të na binte dhe pak bukë, me ç’ka t’i
ndodhej. Kur “Driza” u nis tek diversantët, ne shkuam tek shokët, të
cilët i njoftuam për gjithçka dyshuam në bisedën e bërë me “Drizën”.
Sidomos për masat që duhet të merrnin në momentin dhe vendin ku do bëhej
takimi. Të shikonim nëse do vinin të gjithë, apo do mungonte ndonjë për
të siguruar bandën gjatë takimit e të vepronte kundra nesh në rast
rreziku.
Sa vështirë është të depërtosh në mes një bande dhe në një kohë të
shkurtër, t’u heqësh çdo dyshim e të krijosh besim. Të gjesh momentin të
korrespondosh me shokët pa shenja e pa folur, për të ndërtuar çastin e
sulmit mbi ta. T’i kapësh e asgjësosh duke ruajtur shokun dhe sekretin e
punës, për të vazhduar rrugën e mbrojtjes së atdheut. Me sa të
papritura ndeshesh; sa pikëpyetje duhen zgjidhur; sa dyshime duhet të
sqarosh; sa e vështirë. Luftë nervash, tru më tru. Këto vështirësi e të
papritura nuk na frikësuan, përkundrazi, na përgatitën e na dhanë forcë
të fitojmë.
Duke ecur mbi gurët e një rrugice të ngushtë natën, befas na doli
përpara “Driza”. Këtij burri të shkurtër mezi i dallohej koka, ndërsa
trupi nuk i dukej, pasi i ishte mbuluar nga shkurret, shkozat e
dushkajat e të dy anëve të rrugës. Me lëvizjen e kokës, ai njoftoi se po
vinin. Pas tij, dhjetë pesëmbëdhjetë metra u duk një burrë i gjatë me
trup të drejtë e veshje fshatari të asaj zone. Kur na dha dorën, “Driza”
na prezantoi: “Është “Llani” një nga besnikët e tyre”. Kuptuam se nuk
ishte emri i tij, por strehuesi i tyre që për ta ruajtur i kishin vënë
këtë pseudonim. Pas pesëmbëdhjetë minutash të tjera, nga i njëjti
drejtim, u dëgjua një trokitje gurësh që e dëshifroi “Llani” si sinjal,
prandaj shpejtë vrapoi në atë kah. Njërin pas tjetrit, i pruri tek ne.
Jo të gjithë bandën njëherësh, po në dy pjesë. Sipas radhës, na
prezantoi të parin “Lupin” si përgjegjës, pas tij “Topin”, “Urithin”,
“Plumbin”, “Bredhin” “Minin”.
Mbasi zumë vend, u bë prezantimi edhe nga ana jonë. Të dy përfaqësuesit u
ulën përballë njëri-tjetrit, ndërsa ne u shpërndamë dhe u futëm midis
diversantëve e bashkëpunëtorëve të tyre që i shoqëronin, të cilët ishin
të panjohur dhe të pallogaritur si forca në ndihmë të bandës.
Para se të fillonin bisedimet, diversanti me pseudonimin “Plumbi”,
Mustafa Dushari, iu drejtua përgjegjësit: “Zoti “Lupi” (Seit Bylybashi),
do të kemi roje?”. “Po, iu përgjigj ai, dhe roje del t’i”. “Çekiçi” që i
është afruar dhe i qëndronte pranë sikur ta kishte njohur prej vitesh, i
hodhi dorën në sup dhe i tha: “Do dalim bashkë”. Në të njëjtën kohë,
njoftoi “Çipinin”: “Sipas radhës po dal unë roje së bashku me zotin
“Plumbi”. Dil, u përgjigj ai, por kujdes se dhe gardhi ka sy e vesh. Kur
u largua disa metra, “Çekiçi” me qëllim për të qenë afër grupit për të
dëgjuar zhvillimin e bisedimeve dhe parrullën e shpërthimit mbi
diversantë, që do jepej nga “Çipini”, vendosi të jetë afër tij. I thirri
diversantit që ishte duke ecur: “Zoti “Plumbi” nuk duhet të largohemi
se komunikojmë me vështirësi dhe nuk bëjmë mirë sigurimin e tyre. Vendi
më i përshtatshëm është ky”. Drejt iu përgjigj “Plumbi”.
-Çfarë emri keni. -Atë që prezantova, “Çekiçi”. -Ai është pseudonim. -Po
edhe i juaji pseudonim është. -Në ilegalitet kur keni dalë? -Kur u
okupuam nga komunistët.
-Zoti “Çekiçi”, çfarë qëndrimesh mban organizata juaj ndaj Jugosllavisë dhe me cilën organizatë jashtë vendit keni lidhje?
-Zoti “Plumbi”, mos është më mirë të ruajmë shokët?!
Ai pa me vërejtje “Çekiçin”, sikur donte t’i thoshte: “Mirë t’i ruajmë,
por kur qenke kaq i rregullt, pse ma mban armën në krah”. Ndoshta u
çudit edhe pse “Çekiçi”, i qëndroi ftohtë këtij “luftëtari” të ardhur
nga shtetet e mëdha. Bëri një hap anash, nxori revolverin “Smith” e
kontrolloi dhe me automatik në dorë qëndronte në gadishmëri. U kthye
përballë pyllit e rrugës. Kthente kokën e me vëmendje dëgjonte e
shikonte çdo lëvizje. Por më kot, ai dhe shokët e tij ndodheshin me kohë
në mes të atyre, nga të cilët donte t’i ruante.
I pari e mori fjalën përfaqësuesi i diversantëve që mbante pseudonimin
“Lupi”, i cili u prezantua si zëvendëskomandant, “mbasi komandanti për
arsye pune mungonte”.
Për të na bindur me shpjegimet dhe autoritetin si njeri i ditur, duke u
munduar ta paraqiste veten si organizator, terroristi filloi të flasë
fjalë të huaja që i kishte mësuar nga kishte ardhur. Mbasi tregoi se
ishin dërguar nga komiteti “Shqipëria e Lirë”, me detyrë të shikonin
gjendjen e popullit dhe gatishmërinë për ta hedhur në luftë kundra
pushtetit, shpjegoi se në Shqipëri kanë ardhur dhe punojnë në zona të
ndryshme disa banda.
Në krye të këtij komiteti, vazhdoi përfaqësuesi i tyre, që e ka qendrën
jashtë, qëndrojnë burra që kanë dhënë prova ndaj atdheut. Këta kanë
vendosur, të ndihmuar nga anglo-amerikanët, të luftojnë për të rrëzuar
pushtetin që udhëhiqet prej komunistëve. Për të arritur fitoren, theksoi
ai, të gjitha forcat e Shqipërisë, kudo që janë, të hidhen në luftë nën
drejtimin dhe komandën e këtij komiteti.
Ne dëgjonim me vëmendje. Sa më shumë fliste aq më tepër mbusheshim me
urrejtje. Ajo arriti kulmin, kur për të krijuar bindje tek ne, filloi të
fliste për vrasje dhe atentate ndaj njerëzve të pushtetit dhe partisë.
Duke folur për situatën e jashtme, cilësoi gatishmërinë e
anglo-amerikanëve dhe aleatëve, për ndihmën që i japin kësaj lufte.
Oratori e mbylli ligjërimin me fjalët: “Vetëm nën drejtimin e komitetit
“Shqipëria e Lirë”, që njihet nga aleatët si kundërshtar i vërtetë
kundra pushtetit në Shqipëri, sigurohet liria. Ky komitet ka forca të
shumta të përgatitura për luftë dhe mjete të bollshme që na janë
siguruar”.
Duke i rënë automatikut që mbante me dorë, ngriti zërin dhe tha: “Ja
burra aeroplanët që na kanë zbarkuar këtu, rrobat që kemi veshur e deri
tek ky automatik sot, e ata topa nesër që do të shpërthejnë në luftë mbi
kokat e komunistëve, janë të aleatëve”.
Fjalët e tij na bindën si do përfundonte ky takim. Ato i dëgjoi dhe
“Çekiçi” që bënte roje e priste urdhër. Diversantët kërkonin gjak. Ishte
e vështirë të duroje e prisje sinjalin. Për ne ishte e qartë. Nuk duhet
të vononim. Kapja gjallë nuk ishte e lehtë. Fitonte kush ishte i qetë
dhe gjente momentin e befasisë. Këtë prisnim të gjithë. Por momenti
ishte vështirë të përcaktohej, s’mund të pritej gjatë. Të vështirë e
kishte edhe “Çipini” të jepte urdhër. Duhet të gjente çastin për të
siguruar fitoren, prandaj hezitonte e priste për të dhënë sinjalin e
goditjes. Duhet të duronim. Por sa? Kjo ishte torturë për të gjithë.
“Çipini” e dëgjoi me vërejtje “Lupin”, mori fjalën si përfaqësus i
organizatës “Fronti i Rezistencës”, e foli në mënyrë që të linte te
diversantët përshtypjen se për t’i shpëtuar goditjeve të forcave
qeveritare, duhet punuar në konspiracion dhe cilësoi se organizata e
përmendur, këtë direktivë e zbatonte brenda radhëve dhe jashtë tyre.
Këtë, “Çipini” e bëri për të hequr dyshimet e lindura tek diversantët
dhe të forconte besimin për besnikëri të organizatës. Për këto arsye,
vazhdoi ai, nuk u lejuan të vinin në takime me ne, ata persona që njihen
si luftëtarë e simpatizantë të saj në këtë zonë. Një konspiracion i
tillë, tha “Çipini”, ka zgjeruar radhët dhe ka ruajtur kuadrot e
organizatës. Prandaj zoti “Lupi”, pyetjeve tuaja do t’u përgjigjem sa më
lejohet dhe sa di. Në krye të kësaj organizate, të njohur me emrin
“Arbi” dhe në zonat ku operojmë, janë vendosur elementë patriotë që kanë
dhënë dhe japin prova besnikërie si kundërshtarë të regjimit. Ne
mbështetemi tek ata që kanë marrë pushkën e kanë dalë malit. Sot këta
përbëjnë bërthamën e ushtrisë së ardhshme që vjen duke u rritur...
“Nga vetë emri ‘Fronti i Rezistencës’, kuptohet detyra dhe qëllimi i
organizatës, vazhdoj ‘Çipini’. Ajo organizon të gjithë kundërshtarët
brenda dhe jashtë atdheut. Ti hedhë në frontin e luftës së rezistencës
për fitore. Ndoshta dhe jashtë është dëgjuar zëri i “Tomorrit” “Darës”
“Malit”, “Tiranës”, “Studentit”, “Memtorit”, “Kaçatorrit” e shumë të
tjerëve që luftojnë në krye të forcave nën udhëheqjen e ‘Frontit të
Rezistencës’.
Lufta, zoti “Lupi”, bëhet në Shqipëri, përballë armikut. Ne i shohim jo
me vend veprimet dhe qëndrimet e patriotëve të komitetit ‘Shqipëria e
lirë’ dhe të partive të tjera jashtë atdheut. Përçartjet dhe qëndrimet e
tyre, siç pohuat vetë, kur folët për mënjanimin e ‘Bllokut
indipendentë’ dhe ‘Partisë agrare’, nuk i shërbejnë çështjes sonë. Sot
koha nuk lejon për me pasë mosmarrveshje”.
Fjalët e “Cipinit”i egërsuan diversantët dhe veçanerishte zotin “Lupi”, i
cili e shihte me mjafte egërsi “Çipinin”. Kontradita midis të dy
grupeve, arriti kulmin. Diversantët të nervozuar, nuk i mbante vendi.
Kritikat ndaj veprimatrisë së komitetit “Shqipëria e lirë”, i vunë në
alarm.
Mezi po duronim. Prisnim të na jepej urdhëri. Haxhi Shurdhi që ishte
ulur në krah të një diversanti, në shenjë nervozizmi, filloj të
kollitej. Me këtë, donte ti thoshte “Çipinit”: “Nuk presim më”.
Për të na qetësuar dhe gjetur kohën e përshtatshme për goditje, “Çipini”
e vazhdoj bisedën e tij: “Ne zotërinj mirëpresim të gjithë patriotët
jashtë atdheut dhe ju bëjmë thirrje, të vijnë këtu. Shqipëria sot ka
nevoj, e sidomos për ata që janë figura të njohura, të bashkohemi në një
fronte të vetëm, në atë të “Frontit të Rezistencës”. Ky bashkim siguron
lirin e Shqipërisë”.
Fjala e “Çipinit” i iritoj edhe më tej banditët. Ata nuk mund të
pranonin kurrësesi, vënien e tyre nën diktatin e organizatës “Fronti i
Rezistencës”, prandaj insistonin në të kundërt. Situata ku ndodheshin
krijoi kushte për të lënë një takim tjetër, për të cilin palët dhanë
pëlqimin e tyre.
Qetësi. Përfaqësuesit ranë dakort. Shtrëngojnë duartë. “Çipini”, me
shaka duke qeshur me zë të lartë, që fjala të dëgjohej edhe nga “Cekiçi”
që ishte roje, i drejtohet “Lupit”, përfaqësuesit të diversantëve:
“Turp për këta miqtë tuaj dhe tanët zoti “Lupi”, të na përcjellin pa
bukë”.
Ra heshtja. “Çipini” ndërkohë citon fjalët: “Na bini pak, me se t’ju
ndodhet”. Që në të vërtet, nuk kishin lidhje me bukën, aq më pak, me
dëshirën për të ngrënë. Kjo ishte parrulla që udhëronte sulmin.
Grupi sulmoi. Pushkë e klithma u ndihen në një kohë. Kur “Plumbin”,
Mustafa Dusharin, e goditi plumbi; “tradhëti, thirri diversanti që ishte
me ‘Çekiçin’ roje”, i cili tentoj ta qëllojë me kobure Hekuranin, por
s’mundi. “Çekiçi” e goditi për së dyti dhe ai, ra i vdekur në tokë.
Menjëherë vrapoj e ju gjendë “Çipinit” pranë. Ai ishte hedhur ta kapte
të gjallë “Lupin”, përfaqësuesin e diversantëve. E kishte mbërthyer dhe
futur gjahun midis thonjve, si shqiponja. Me duart e fuqishme e kishte
shtrirë dhe ja kishte kthyer krahet pas, për ta lidhur. Kur arriti tek
Asim Aliko, Seit Bylybashi ju lut Hekuranit të parruar e me mustaqe të
gjata: “Aman o xhaxho, më ndihmo të shpëtoj se po më nxjerr shpirtin e
po më mbyt “Çipini”. Për këtë kam ardhur, i fola nxitimthmi, por
errësira e natës më pengon të gjej kokën, o biri xhaxhait. Ndaj nxirre
të ta shoh, ku e ke. Dhe “Lupi” ashtu bëri, pa menduar se ky veprim do
të shërbente për nxjerrjen jashtë loje të tij.
Duke mos kuptuar se ç’ka po ndodhte në këtë përleshje midis anëtarëve të
bandës diversioniste “Mavija” dhe përfaqësueve të organizatës “Fronti i
Rezistencës”, “Driza” i hutuar e ulur në gjunjë, u çua në këmbë. Me zë
të lartë u drejtua të dyja palëve: “Çkini more. Ç’bëni kështu. Të
shporren njëherë komunistët, pastaj zihuni me njeri-tjetrin”. Vrapoj me
të shpejtë drejt “Lupit” që kërkonte ndihmë, por ndërhyri Mark Dodani
(“Studenti”), me një plumb, që i ndërpreu vrullin “Drizës” drejt
“Çipinit” e “Çekiçit” që ende merreshin me Seitin, i cili i lidhur, pa
fatin e shokut te tij.
Midis krismave, dëgjuam zërin e “Sokolit”, Haxhi Shurdhi: “U lidhe i gjallë diversant “Bredhi”.
Natës i kishin mbetur orët e fundit. Dita po fillonte të agonte. Duhej
shpejtuar zbatimi i masave, që operacioni të mbaronte brenda errësirës.
Mbasi u konsultuam, “Çipini” porositi shokët e veshur si banditë, të
ndërronin uniformën për tu dukur si ushtarë të mbrojtes. Kjo bëhej për
të mos ekspozuar veprimet. Të gjitha lidhjet e bandës që dinin se ajo u
asgjesua, pas takimit me përfaqësues të “Frontit të Rezistencës”, të
arrestohen, izolohen dhe mbahen sekret.
Pas kesaj “Çekiçi” dhe Haxhiu u nisën tek shtëpia e “Llanit”, ku ishim
strehuar me diversantët. Të bënin kontrollin, për të marrë materialet e
banditëve. Haxhiu pa u ndjere, arriti tek dera e shtëpisë. Tre hapa pas,
ndodhej “Çekiçi”. Të dy i dhanë një të shtyrë derës. U gjendën me
automatik në dorë në mes të dhomës. Në krye të saj, për rreth vatrës,
qëndronin të ulur, një grua plakë dhe një burrë trup madh e i fuqishëm.
Prezenca e tij ishte e papritur për ne. Ai kur na pa me tjetër pamje dhe
jo si në mbrëmje kur ishim bashkë, u çudit. U kthjellua, u ngritë në
këmbë dhe si bishë ju vërsul Haxhiut. Po kacafyteshin të dy. Megjithëse
trup madhë, nuk mundi ta rrëzoj. Unë mbeta dy hapa larg. U ndodha
ngushtë. E kisha të vështirë të qëlloja. Në dhomë, në mes të grave.
Çast i rëndë. Haxhiut nuk po i shqitej, krimineli i inatosur. Trupat e
secilit ishin bërë një. I inkurajuar dhe nga gruaja plak që i rrinte
pranë, jo vetëm nuk ndahej, por nuk më jepte mundësi të veproja. Duhet
të gjeja momentin ideal. Të godisja kundërshtarin, që mund të më vriste
shokun. Por duhet ta ndaja Haxhi Shurdhin nga plumbi im. E rëndë të
vrisja padashje plakën, prezente në përleshje. Mbaja gishtin në këmbëzën
e automatikut. Erdhi një momente, Haxhiu shtyu me tërë forcën
kriminelin dhe e distancoj pak nga vetja... Ja trupi i tij. Unë sa të
tërhiqja gishtin, por në kokë më kaloj një dridhje. Automatikun e kisha
me breshëri. Dora veproi shpejt, mbase më parë se mendimi im. Bëri dy
veprime. Nuk di se cilin më parë. Ndryshova gradimin apo tërhoqa
këmbëzën. Godita. Me një plumbë të vetëm. Atje tej, dy-tre metra larg,
dëgjova një “ah”. Eh, çfarë çasti. Doli gjak. Dy trupa qenë shtrirë. Me
një frymë ju hodha shokut tim. Ngrita Haxhiun. Ai ishte gjallë. Agjenti i
vdekur.E kishte mbërthyer plumbi në ije. Haxhi Shurdhit, gishtin.
Incidenti, ku për pak, humbëm jetën, ndikoj në një kuptim tjetër. Së
pari, për të qenë të kujdesshëm në veprimet tona, dhe së dyti evidentoi
figurën e plotë të terroristit “Mini”. Për të cilin, dinim se ishte
pjesë e bandës “Mavija”, duke shërbyer si ndërlidhës. Ai pasi kishte
dëgjuar krismat e përleshjes midis nesh e banditëve, shkoj shpejtë, në
shtëpinë e”Llanit”, për ta informuar çfar ndodhte. Në momente, në hymë
dhe u ballafaquam me të, ku ndodhi ç’ka përshkruam.
“Çipini” pasi grumbulloi nga shokët informacionet përkatëse, njoftoj
“Dajtin”se: “Anëtarët e bandës “Mavija” dhe bashkëpunëtorët e saj u
asgjësuan. Një pjesë e tyre ndodhen në duartë tona”.
“Dajti”pak kohë më vonë, arriti në shtëpinë e “Drizës”, ku ju raportua
për ç’ka ishte gjetur në odat e “Llanit”, të cilin e mori vetë në
pyetje. Me kokën ulur e sytë në tokë, ai mezi i nxirte fjalët. “Mendja,
budallalleku na bëri t’i donim, jo me shpirt, por se kishim frikë.
Banditët na kërcënonin me jetën... Kaq di tju them... Ju veproni sipas
ligjeve”.
Një grua e pranishme gjatë përleshjes së Haxhiut me “Minin” në shtëpinë e
“Llanit”, e pranishme në bisedë, ndërhyri duke iu drejtuar: “Pergjigju
drejt S. Aga, jo vetem ndaj popullit keni kusure, por dhe ndaj grave e
fëmijve jeni gjynaqar me çfarë keni bërë. Trego ku i ke fshehur, të
gjitha”.
“Llani” ishte futur në një det mendimesh dhe shikonte me habi “Çipinin” e
ne të tjerët. Nisi të flasë me vehte. “Si arrita deri këtu?!”
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, gjetëm të fshehura armë, municion,
napolona flori, një radio ndërlidhëse si edhe blloqet me kodet e
shifrës, etj..
Në hetuesi, banditët deponuan, se në kurset që kishin bërë nën kujdesin e
zbulimeve të huaja, rëndësi i ishte kushtuar përgatitjes për realizimin
e akteve të terrorit. Si ti kryenin vrasjet e aktiviste të rinisë,
gruas, kuadrove e figurave të rëndësishme të Luftës Antifashiste.
Tërhiqte vëmendjen, mënyra si do i realizonin atentatet, në mitingje, në
mbledhje, në zyra e shtëpitë e banimit.
Dita kishte rënë. Një pjesë nga ne, ndodhej në shtëpinë e “Drizës”. Aty
do informoheshin dhe vendosnin ç’do të bënin me tej. Në të përfunduar të
takimit, hyri në derë Bilo Bregu që kishte ardhur së bashku me forcat e
ndjekjes. Duheshin maskuar veprimet tona, për të ruajtur deshifrimin e
organizatës “Fronti i Rezistencës”.
Bilo u përqafua me të gjithë. Asim Aliko i futi krahun dhe e veçoj për
ta njohur me personat në vëretje dhe të arrestuarit. Banditët e kapur,
do t’i marrim ne, i tha Asimi. Dhe ti shoku Bregu, besoj je dakort.
Drejt i keni ndarë, ju pergjigjë ai, duke buzëqeshur. Këtë herë s’po
bëni “hile”. Mjaft na keni “gënjyer”. Edhe para dy javësh, na dërguat
një telegram, ku njoftonit se i arratisuri Novruz Dushari ndodhej në
zonën x, dhe neve vu përpara për ta kapur, kur ju shoku “Çipini”, prej
kohësh, e kishit në burg. Nejse, përfundoj Bilua, ju lumtë.
Rexhep Kolli na priste me padurim. Kur na pa, u lëshua drejt nesh. Na
përqafoi e uroi për suksesin. Prej tij mësuam se kishte informuar Kadri
Hazbiun dhe ministrin e brendëshëm Mehmet Shehun. Në Gramsh, ishte nisur
Sulo Bedini dhe sipas planit të operacionit, kishte arrestuar ata
persona, të këtij kanali që kishin dijeni për këto veprime. Kjo bëhej
për të ruajtur sekretin e lojës. Megjithëse, kishim marrë masa, rreziku i
dekonspirimit ekzistonte. Këtë e stimulonte edhe suksesi. Ne duhet të
punonim, për të bindur zbulimet e huaja dhe elementin që bashkëpunonte
me ta, se tradhëtia që çoi në likujdimin e bandës “Mavija”, ndodhej
midis tyre. Për të zbatuar kombinacionin, vumë në përdorim “Lupin”,
lidhje e bandës së Hamit Matjanit dhe Tefik Kokelës, i cili i diktuar
nga ne, iu dërgoi një letër me këtë përmbajtje:
Zoti “Vali” e “Çuka”!
Duke shkuar në shtëpi të “Drizës” që na shoqëronte, u goditëm në befasi.
Nga predhat e para mbetën të vrarë, “Plumbi” dhe “Driza”. Në zjarrin e
armëve mundëm t’i shpëtojmë pritës. U informuam se forcat e sigurimit
kanë eleminuar “Minin”, arrestuar “Llanin”, familjen e tij e të “Drizës”
i mbajnë të izoluar.
Dyshimi për këtë tradhëti mbetet tek “Çakalli”, i cili para dy ditësh
është larguar nga grupi, me preteks për të rregulluar gjeneratorin e
radios, e nëpërmjet jush, të lidhej me qendrën. Në fakt, një natë para
se të biem në pritë, ai ka shkuar tek miku i tij, që ka të bëjë me një
oficer Sigurimi. Kohët e fundit, “Çakalli” ka pasur shenja vetmie e
mërzitje. Dyshimi rritet më tepër, se nga momenti i shkëputjes së tij,
rënies në pritë e deri në këto çaste që ju shkruaj, ne nuk dimë ku
ndodhet, e pse u nda.
Merrni masa mbrojtëse. Njoftoni qendrën. E kemi të vështirë lëvizjen.
Bazave tona që janë ekspozuar, nuk mund t’i besojmë. Lidhje pranojmë
vetëm nëpërmjet mikut 10 (C), mbas dhjetë ditësh nga data trembëdhjetë e
tutje, të çdo muaji.
“Lupi”
Kjo letër dhe masat e tjera që shoqëruan kombinacionin e realizuar nga
organet e Sigurimit dhe ato të degëve Punëve të Brendëshme Korçë e
Gramsh, krijuan bindje te bandat dhe bazat e tyre, se tradhëtia kishte
ardhur nga brenda.
Megjithëse në kthim, ishim të shtrënguar, se ndodheshin dhe banditë,
rrugën nuk e ndiem. Makina që udhëtonim, eci shpejt. Duheshim në qendër.
Jo për të pushuar. Nuk ishte koha për të festuar. Duhej punuar.